Themelimi i Speciales nga Kuvendi i Kosovës dhe përpjekjet e mëvonshme për ndryshimin e mandatit të saj edhe nga ata që e votuan, janë shoqëruar me zhvillime dramatike, ku përcaktues për kahen e procesit u bë presioni ndërkombëtar. Gjykimi ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, të akuzuar për krime lufte, nis sot më 3 prill, 12 vjet pas miratimit të raportit të Dick Martyt në Këshillin e Evropës. Në bazë të paralajmërimeve procesi pritet të zgjasë deri më 2026
Dymbëdhjetë vjet pas miratimit të raportit të eurodeputetit Dick Marty në Këshillin e Evropës, mbi pretendimet e të cilit u themelua Gjykata Speciale në Hagë, do të nisë gjykimi i ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi.
Të hënën, ata do të dalin para trupit gjykues, ndonëse pretendimet e Dick Martyt, nuk u përfshinë as në akuzën fillestare, e nuk janë as në aktakuzën më të re për rastin.
Thaçi, Veseli, Selimi e Krasniqi, që po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, krahas të qenit ish-udhëheqës të UÇK-së, pas lufte kanë mbajtur pozita të larta udhëheqëse. Thaçi ishte president kur u dorëzua në Hagë, bashkëpartiaku i tij, Veseli ishte kryetar Kuvendi, Krasniqi ishte ministër, deputet dhe kryetar i Kuvendit të Kosovës për dy mandate, ndërsa Rexhep Selimi ishte deputet e shef i grupit parlamentar të LVV-së.
Në një libër të ish-prokurores së Tribunalit të Hagës, Carla Del Ponte si dhe në Raportin e Dick Martyt, pretendohej se ish-drejtuesit e UÇK-së ishin të përfshirë në trafikim të paligjshёm të organeve njerёzore.
Këto pretendime u kundërshtuan në Kosovë, por paralel me to u rrit presioni i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian për formimin e gjykatës që do t’i trajtonte pretendimet e raportit Marty.
Kryeministri i atëhershëm, Hashim Thaçi, emri i të cilit është përmendur më së shumti në raportin e Martyt, thoshte se ndryshimi i Kushtetutës për formimin e gjykatës është i padrejtë, sikurse edhe presioni ndërkombëtar, porse sipas tij, s’ka alternativë tjetër përveç rreshtimit kah kërkesa e BE-së dhe SHBA-së.
Përpjekja për zhbërjen e Speciales, edhe nga ata që e votuan themelimin e saj
Përpjekja e parë për votimin e marrëveshjes mes Kosovës e BE-së për themelimin e Speciales dështoi më 26 qershor 2015. Por, pas pak javësh, më 3 gusht 2015, përfaqësuesit e PDK-së, LDK-s, Listës Serbe, Grupit parlamentar 6+ e disa deputetëve pa grup parlamentar votuan për themelimin e saj.
Nga 117 deputetë prezentë, votuan 88. Prej tyre, 82 ishin për, pesë ishin kundër dhe një prej tyre abstenoi.
Deputetët nga LVV-ja, AAK-ja, Nisma për Kosovën e Lëvizja për Bashkim nuk morën pjesë në votim, sipas regjistrit zyrtar. Më 2016, u miratua edhe marrëveshja me Holandën për vendosjen e Speciales atje.
Por ende pa u dorëzuar aktakuzat e para në gjykatë, pati një përpjekje nga deputetët për ta ndryshuar karakterin etnik të gjykatës dhe të mos gjykohen vetëm pjesëtarët e UÇK-së, por të gjithë ata që kanë kryer krime, përfshirë edhe ata të komuniteteve të tjera.
Më 22 dhjetor 2017 me nismë të deputetëve të partive të atëhershme në pushtet: PDK, AAK dhe Nisma, u tentua ta bëhej kjo, por reagimi i bashkësisë ndërkombëtare ishte i ashpër. Kërcënoi me pasoja të mëdha për Kosovën. Nisma nuk u hodh në votim.
Më 2019, Thaçi i shkroi sekretarit të atëhershëm amerikan të SHBA-së, Mike Pompeo, duke i thënë se nuk ka qenë asnjëherë qëllim i institucioneve që Specialja të vendosej në Hagë. Porse, sekretari amerikan i ishte përgjigjur se “heqja ose dëmtimi i strukturës së punës ose lokacionit të Dhomave të Specializuara ose Prokurorisë së Specializuar, në çfarëdo mënyre, do ta dëmtonte seriozisht kredibilitetin dhe reputacionin ndërkombëtar të Kosovë”.
Aktakuza kundër katër drejtuesve të UÇK-së u konfirmua më 26 tetor nga Dhomat e Specializuara. Më 5 nëntor, pasi dha dorëheqje nga posti i Presidentit, Thaçi u arrestua nga policia ndërkombëtare. Specialja e arsyetoi paraburgimin e tij dhe të tjerëve me mundësinë e frikësimit e rrezikimit të dëshmitarëve.
Zgjerimi i aktakuzës
Thaçi, Veseli, Selimi e Krasniqi akuzohen për ndërmarrje të përbashkët kriminale, si vrasje, torturë e trajtim mizor në periudhën 1998-99.
Në aktakuzën e shkurtit të këtij viti thuhet se ata kanë marrë pjesë personalisht në frikësimin, marrjen në pyetje, keqtrajtimin dhe ndalimin e atyre që dyshonin se ishin bashkëpunëtor të regjimit të Millosheviqit, përfshirë serbë, shqiptarë e romë, si dhe të kundërshtarëve politikë. Tutje lidhur me akuzat për vrasje, ZPS-ja është thirrur edhe në përgjegjësinë e tyre komanduese si pjesë e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-s, gjatë përshkrimit të vrasjeve që pretendohet se janë kryer në vendet e ndalimit. Në aktakuzë, thuhet se ata e kanë ditur ose kanë pasur arsye të dinë për krimet që ndodhnin nëpër vende të ndryshme të Kosovës e Shqipërisë përfshirë rajonin e Drenasit, Ferizajt, Podujevës, Gjakovës e Kukësit.
Në këtë proces, sipas gjykatës, në cilësi të viktimave do të dëgjohen në cilësinë e viktimave, 140 persona. Në aktakuzë përfshihen mbi 400 persona - viktima të mbajtjes në qendrat e ndalimit, mbi 100 vrasje dhe 20 të zhdukur me dhunë.
Pos tyre, aktakuza u ngritën edhe ndaj dy komandantëve të tjerë Salih Mustafa e Pjetër Shala për krime lufte. Gjykimi i Mustafës në shkallën e parë ka përfunduar dhe ai është dënuar më 22 dhjetor të vitit të kaluar me 26 vjet burgim, derisa ai i Shalës sapo ka filluar.
Me të dhënat aktuale që janë paralajmëruar nga palët në rastin për ish-drejtuesit e UÇK-së, verdikti pritet të jepet gjatë vitit 2026.
Dy pjesëtarë të tjerë, Hysni Gucati e Nasim Haradinaj, janë dënuar më parë për pengim të administrimit të drejtësisë me 4 vjet e tre muaj burgim.