25 vjet

Historia e shqiptarit që hyri në Kosovë si ushtar i KFOR-it francez

Ish-pjesëtari i forcave të misionit të NATO-s, KFOR, Ilir Bajraktari

Ish-pjesëtari i forcave të misionit të NATO-s, KFOR, Ilir Bajraktari

Ish-pjesëtari i forcave të misionit të NATO-s, KFOR, Ilir Bajraktari, ka rrëfyer se si hyri si ushtari i vetëm kosovar i KFOR-it gjatë kohës së luftës në Kosovë.

I ftuar në “Speciale” të KTV-së për Ditën e Çlirimit, Bajraktari ka treguar se si është propozuar të jetë pjesë e trupave franceze që do të ndërhyjnë në Kosovë, si dhe për ngjarjet që ka parë dhe përjetuar gjatë kryerjes së misionit. 

“Shërbimi ushtarak në atë kohë ka qenë i obliguar në Francë, unë kam shkuar ta kryej shërbimin ushtarak për 10 muaj dhe pas tre muajsh më kanë propozuar ta marrë një kontratë me pagë. Prej vitit 1998 kam nënshkruar kontratë në armatën franceze, edhe gradimi ka vazhduar kohë pas kohe dhe nga 98’ta kam qenë ushtar i rregullt i armatës franceze. Më 98-99 ne si familje me prejardhje nga Ferizaj e kemi përcjell nonstop situatën. Mua më kanë propozuar, ka qenë urdhër që të përgatitem nëse do të ketë ndërhyrje të forcave të Francës në Kosovë. Ata e kanë ditur që unë e di shqipen ndonëse kam lindur në Francë. E kanë ditur që flas shqip dhe kam ardhur si përkthyes. Ka qenë në ndjenjë shumë e veçantë, një stres sepse ka qenë misioni i parë ushtarak, nuk e kam ditur se çfarë do të gjej, por kam ardhur me krenari. Frikë se çfarë do të shoh, si do të jetë situata, por e kam pasur një mbështetje nga armata sepse e kanë ditur që jam nga ky vend”, ka thënë ai. 

Ai ka treguar se si gjatë vizitës së tij ushtarake në kampin e Stankovecit ka takuar familjarë të tij. 

“Misioni i parë ka qenë prej janarit ’99, prej jugut të Francës kemi shkuar në Selanik për t’u përgatitur, sepse nuk e kemi ditur se a do të hyjmë apo jo, më pas kemi ardhur në Kumanovë, ku jemi përgatitur për hyrje. Prej atij vendi kemi lëvizur në një vend tjetër për të parë se çfarë po ndodh në Kosovë. Kam qenë në kamp Stankovec me uniformë për të takuar njerëz, kam hasur në familjarë të mi. E kam takuar gjyshen, xhaxhain, miqësi të vëllezërve. Kam shkuar në kamp për të parë se çfarë po ndodh”, është shprehur Bajraktari.

Tutje ai ka njoftuar se më 12 qershor ka zbarkuar në Mitrovicë.

“Në qershor kam lëvizur për në Mitrovicë. Atje kam marrë shumë ankesa prej popullatës, rendi ka qenë 50-60 persona të cilët kanë kërkuar ndihmë nga KFOR-i. Zona e Mitrovicës ka qenë 70-80 për qind e shkatërruar dhe njerëzit kanë filluar të ktheheshin. Ka pasur rast kur ka ardhur një person dhe ka pyetur se ku është spitali francez, ai kishte shkelur në minë dhe ka ardhur të shërohet te forcat e KFOR-it sepse e kishte humbur këmbën”, ka thënë ai. 

Bajraktari tutje ka rrëfyer për një ngjarje të ndodhur me familjen Jashari, për çka KFOR-i francez është detyruar t’i kërkojë falje pjesëtarëve të kësaj familjeje. 

“Familjen Jashari e kemi në zemër. Ka pasur raste kur në një periudhë forcat franceze të KFOR-it kanë pasur një lëvizje të palakmueshme në muze, janë sjellë në mënyrë të ashpër në oborrin e familjes Jashari dhe në muze. Më ka thirrur drejtpërdrejt Murat Jashari dhe më ka njoftuar, kam shkuar në shtab të përgjithshëm dhe e kam pyetur komandantin e brigadës, e ka çuar informatën në batalionin që ishte në vend, të nesërmen kam shkuar me komandantin e brigadës, Murati e ka shpjeguar rastin, komandanti e ka pasur versionin e ushtarëve, unë e kam ndërprerë bisedën, e kam pyetur Muratin se çka ka ndodhur, e kam marrë gjeneralin ia kam treguar historinë, shkuam në vend, e kemi parë dhe zbuluar vetë se çfarë ka ndodhur. Pas asaj dite kam ndërmjetësuar për t’i zbutur marrëdhëniet me familjen Jashari dhe prej asaj kohe ajo zonë ka qenë në hartën e mbrojtjes”, ka rrëfyer ai.

Në bazë të informacioneve në të cilat ka pasur qasje brenda misionit të NATO-s, Bajraktari ka thënë se në asnjë moment nuk ka vërejtur vendime të njëanshme.

“E kam pasur gradimin për të pasur qasje në të gjitha informacionet brenda misionit. Në asnjë moment nuk e kam vërejtur që ka ndonjë anim për një pjesë apo një pjesë tjetër. Kam shkuar në mbledhje të Brigadës, të KFOR-it, në asnjë moment nuk ka pasur vendime të njëanshme, qëllimi ka qenë gjithmonë të mbrohet popullata. Një person ka pasur fjalë ofenduese ndaj shqiptarëve dhe shefi i atij personi e ka vërejtur, ka bërë raport, edhe unë kam dhënë raport që e kam vërejtur atë rast dhe ai është larguar me aeroplan të veçantë për në Francë”, ka thënë ai. 

Përmes një fotografie të shkrepur nga Mitrovica para 25 vjetësh, ai ka treguar edhe për vizitën e aktores së njohur Angelina Jolie, si përfaqësuese e UNHCR-së. 

“Angelina ka ardhur për të na vizituar në Mitrovicë. Ka qenë përfaqësuese e UNHCR-së. Diskutuam pak, dhe i thashë që kam shumë punë, prej atëherë ka shkuar me Brad Pitin”, ka thënë ai në formë shakaje.