Dardan Nuhiu nuk do të duhej të ishte në krye të Njësisë së Inteligjencës Financiare prej gjashtë vjetësh. KOHA ka siguruar dëshmitë që tregojnë se Bordi që drejtohej nga Avdullah Hoti dhe që për anëtarë kishte ministrin e Punëve të Brendshme, kryeprokurorin, drejtorin e Policisë, drejtorin e Administratës Tatimore, drejtorin e Doganave dhe guvernatorin e BQK-së e kishte shkarkuar Nuhiun në 2015-n, por s’kishte mundur ta formalizonte këtë masë. Bordi fillimisht i ishte nënshtruar kërkesës që shkarkimin ta zëvendësonte me dorëheqje dhe pas dy ditësh kishte pranuar ta rikthente në zyrë Nuhiun, ani se ishte konstatuar se drejtori i Njësisë së Inteligjencës Financiare kishte bërë shkelje kur kishte kërcënuar një gazetar që ia kishte publikuar disa transaksione Aleksandër Lumezit.
Prej gjashtë vjetësh Dardan Nuhiu nuk do të duhej të ishte në krye të Njësisë së Inteligjencës Financiare (NJIF-K). Dyshime shantazhi qëndrojnë pas historisë së para pesë vjetëve, kur Bordi i kësaj njësie ishte sprapsur nga vendimi për ta shkarkuar njeriun që zotëronte informacionet mbi rrjedhën e parave.
Kërkesës së Nuhiut për t’u tërhequr nga vendimi i ishin nënshtruar ministri i asaj kohe i Financave, Avdullah Hoti, që ishte kryetar Bordi, si dhe anëtarët e tjerë të kësaj trupe: ministri i Punëve të Brendshme, kryeprokurori, drejtori i Policisë, drejtori i Administratës Tatimore, drejtori i Doganave dhe guvernatori i BQK-së.
Në Ministrinë e Financave konfirmuan se shkarkimi kishte ndodhur.
“Çështja e mandatit të z. Nuhiut nga Bordi i NJIF-K është shqyrtuar në takimin e Bordi të NJIF-K të mbajtur më 15.6.2015 dhe 16.6.2015, si pikë e veçantë, pas raportimit të gazetës ‘Blic’ (online) për konfrontimin e z. Dardan Nuhiut me gazetarin z. Astrit Gashi më 8.4.2015. Në këtë takim, Bordi i NJIF-K administroi provat lidhur me këtë rast dhe konstatoi që ky veprim i z. Nuhiut është shkelje ligjore”, thuhet në përgjigje. “Si rrjedhojë, Bordi i NJIF-K vendosi për shkarkimin e z. Dardan Nuhiut nga pozita e drejtorit të NJIF-K”.
Në ministri konfirmohet edhe sprapsja e Bordit.
“Pas kumtimit të kësaj informate z. Dardan Nuhiut, i njëjti kërkoi që t’i jepet mundësia që të japë dorëheqje dhe Bordi pranoi këtë kërkesë”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë.
KOHA ka siguruar dokumentet që dëshmojnë nënshtrimin ndaj Nuhiut, i cili në një përgjim që është publikuar këtë javë, dëgjohet tek rrëfen planin për shantazhim personalitetesh.
Gazetari Gashi nuk deshi të prononcohej për rastin, vetëm konfirmoi kërcënimin nga Nuhiu dhe tha se kishte ndodhur pasi mediumi i tij publikoi dokumente që dëshmonin qarkullim prej qindra mijëra eurosh, në llogarinë e të nominuarit të atëhershëm për kryeprokuror të shtetit, Aleksandër Lumezi, e i cili akoma është në krye të organit të akuzës. Ai tha të mos e kishte ditur se ka pasur procedurë kundër Nuhiut, shkaku i këtij kërcënimi.
Pasi e kishte shkarkuar për këtë kërcënim, Bordi fillimisht pranoi që largimi të bëhej në një formë tjetër – përmes dorëheqjes.
“Të nderuar, ju njoftoj se për shkaqe personale jap dorëheqje nga pozita e drejtorit të Njësisë për Inteligjencë Financiare nga data 15.6.2015”, thuhet në shkresën e firmosur nga Nuhiu. “Ju lutem që të pranoni dorëheqjen time, si dhe ju njoftoj se jam në dispozicion të jap kontributin tim në të ardhmen për çfarëdo nevoje që mund të ketë NJIF-K në proceset e ndryshme”.
Të njëjtën ditë Bordi ia kishte miratuar kërkesën.
“Aprovohet dorëheqja e z. Dardan Nuhiut nga pozita e drejtorit të Njësisë për Inteligjencë Financiare të Republikës së Kosovës”, thuhet në pikën e parë të vendimit. “Vendimi hyn në fuqi në datën e nënshkrimit”, vijohet në të dytën.
Por Nuhiu qëndroi vetëm dy ditë jashtë zyrës.
Një nga anëtarët e Bordit të asaj kohe tha në kushte anonimiteti se pati zhvillime që i paraprinë sprapsjes.
“U pa se ishin të shantazhuar shumica dhe njëkohësisht kishte presion edhe nga njerëz mbi ne, për ta kthyer në pozitë”, tha ai. “Fatkeqësisht, ndërroi për 180 shkallë edhe Hoti, që ishte kryetar i Bordit”.
Hoti, që në mandatin e shkuar ka qenë kryeministër, nuk u ktheu përgjigje një numri pyetjesh që lidhen me këtë rast.
As Nuhiu nuk iu përgjigj kërkesës për ta shpjeguar rrethanën.
E, dokumentet tregojnë se Bordi mori një numër vendimesh kontraverse: Pasi u spraps nga vendimi për shkarkim, vendosi t’ia pranonte dorëheqjen Nuhiut dhe ta emëronte ushtrues detyre në vend të tij Behar Xhemën. Por, pas dy ditësh vendimin për Xhemën e anuloi, ndërsa Nuhiun e kthej në zyrë duke e bërë ushtrues detyre.
“Z. Dardan Nuhiu emërohet ushtrues detyre i drejtorit të Njësisë për Inteligjencë Financiare të Republikës së Kosovës”, thuhet në pikën e parë të vendimit të Bordit, që ishte marrë më 17 qershor 2015, dy ditë pas vendimit për shkarkimin e të njëjtit. “Z. Nuhiu ushtron të gjitha kompetencat ligjore të drejtorit të Njësisë për Inteligjencë Financiare të Republikës së Kosovës, të parapara më Ligjin Nr. 03/L-196 për Parandalimin e Shpëlarjes së Parave dhe Financimit të Terrorizmit, i plotësuar dhe i ndryshuar më Ligjin Nr. 04/L-178”.
Sikurse vendimet e tjera, edhe ky mban nënshkrimin e Avdullah Hotit, i cili duke qenë ministër i Financave ishte kryetar i Bordit të NJIF-it.
Poshtë nënshkrimit ndodhej një arsyetim. E në të tregohet se Nuhiu e kishte revokuar dorëheqjen një ditë pasi e kishte dhënë dhe ia kishte miratuar Bordi.
“Z. Dardan Nuhiu, më 15.6.2015 ka ofruar dorëheqjen nga pozita e drejtorit të Njësisë për Inteligjencë Financiare. Po të njëjtën datë dorëheqja e tij është pranuar nga Bordi. Më 16.6.2015, z. Dardan Nuhiu ka revokuar dorëheqjen e dhënë një ditë më parë dhe, me qëllim të sigurimit të vazhdimësisë së punës në NJIF, Bordi vendosi që z. Dardan Nihiu të vazhdonte punën si ushtrues detyre i NJIF-K deri në një vendim tjetër të Bordit”, thuhet në arsyetim. “Po ashtu, si pasojë e një lëshimi teknik, vendimi Nr. 07/2015 gabimisht ka shfuqizuar vendimin nr. 04/2015 mbi pranimin e dorëheqjes së z. Dardan Nuhiut, ndërsa është synuar shfuqizimi i vendimit nr. 05/2015, me të cilin z. Behar Xhema është emëruar u.d. Përndryshe, vendimi 04/2015 mbetet në fuqi”.
Kësisoj, Nuhiu ushtroi detyrën derisa përfunduan procedurat e rregullta për emërimin e drejtorit të Njësisë së Inteligjencës Financiare.
Ato zgjatën rreth një vit, dhe më 23 mars 2016 Bordi e zgjodhi pikërisht Nuhiun në këtë pozitë, ani se atë e shkarkoi shkaku i shkeljeve ligjore.
“Z. Dardan Nuhiu emërohet drejtor i Njësisë për Inteligjencë Financiare të Republikës së Kosovës”, thuhet në këtë vendim, që mban firmën e Hotit dhe datën 23 mars 2016. “Vendimi hyn në fuqi në datën e nënshkrimit”.
Bordi e ka shkarkuar tek tash Dardan Nuhiun, pas publikimit të përgjimeve që tregojnë planet e tij për shantazhe.
Lajmin e bëri të ditur ministri i ri i Financave, Hekuran Murati, dhe për të ofroi informacione edhe Ministria që ai drejton, nëpërmjet një komunikate shtypi.
“Mbledhja e jashtëzakonshme ishte thirrur nga ministri Murati në cilësinë e kryesuesit të Bordit Mbikëqyrës të NJIF, pas publikimit të audioincizimeve në media ditëve të fundit, të cilat implikojnë edhe drejtorin e NJIF-it, Dardan Nuhiu”, thuhet në komunikatë. “Gjuha e përdorur në bisedat e publikuara shpërfaq qartazi abuzimin me detyrën e besuar. Një gjë e tillë cenon rëndë reputacionin e institucionit dhe rrezikon besueshmërinë e qytetarëve dhe institucioneve të tjera bashkëpunuese”.