Arbëri

Histori koalicionesh, vetëm dy legjislatura u përmbyllën si të plota

Historia e pluralizmit të pasluftës në Kosovë është e mbushur me dramë. Vetëm dy legjislaturat e para u përmbyllën si të plota, ndërsa fundin nuk e pritën pesë të tjera që pasuan. Zgjedhjet e 14 shkurtit janë të tetat nacionale të organizuara në dy dekada. Ato do ta prodhojnë koalicionin e nëntë, ngaqë tetë sosh janë parë pas shtatë palë zgjedhjesh paraprake

Legjislatura I – Pushtet për të gjithë (zgjedhjet 2001)

Kosovarët e kishin armik të përbashkët Serbinë në luftë, por pas çlirimit dolën thellësisht të ndarë. Polarizimi politik ishte në kulm në 2001-n, kur u organizuan zgjedhjet e para nacionale të pasçlirimit.

Ndërkombëtarët prioritet e kishin stabilitetin në Kosovë, prandaj donin përafrimin e krahut të luftës dhe atij pacifist. E bënë këtë paraprakisht me formimin e Këshillit Administrativ.

“Ky është fillimi i një procesi”, ka thënë Bernard Kushner, kryeadministrator i Kosovës.

LDK-ja e prirë nga Ibrahim Rugova i fitoi zgjedhjet e para.

Pas trysnisë ndërkombëtare, pranoi formulën e bashkëqeverisjes nga i gjithë spektri politik.

Rugova vetë e mbajti postin e presidentit, ndërsa posti i kryeministrit iu dha PDK-së, por me kushtin që atë të mos e ushtronte lideri i kësaj partie, Hashim Thaçi.

Marrëveshjes i kishin paraprirë negociata të vështira e të gjata.

Bajram Rexhepi e kishte rrëfyer këtë histori për “Kohën Ditore” dhe kishte treguar për telefonatën që pas mesnate ia kishte bërë gjermani Michael Steiner, atëkohë kryeadministrator i Kosovës, nëpërmjet së cilës i ishte dhënë haberi se nominohej për kryeministër.

“Negociatat për koalicion patën zgjatur ja dy-tre muaj. Kanë qenë negociata të vështira. Në dy të natës zoti Shtajner më ka thirrur dhe më ka kumtuar se pas bisedave maratonike, ju jeni propozuar për mandatar”, ka tretuar Bajram Rexhepi.

Rexhepi u bë kryeministri i parë i Kosovës më 4 mars 2002, dhe krahas njerëzve të LDK-së e PDK-së, në kabinet pati ministra nga AAK e komunitetet. Ai është i vemi shef qeverie që e rrumbullakoi të plotë mandatin.

Legjislatura II – Qeveri e trazuar (2004)

Bashkëqeverisje nuk pati në mandatin e dytë. Zgjedhjet e 2004-s sërish e rikonfirmuan LDK-në subjekt fitues të garës. Pas një mësymjeje të subjekteve të tjera për ta lënë fituesin jashtë, Ramush Haradinaj ishte bindur nga Rugova për t’u bërë partner në ekzekutiv.

Ishte jo pak ofertë. Haradinajt ia kishte dhënë postin e kryeministrit, ndonëse partia e tij kishte çerekun e votave të LDK-së. Më 3 dhjetor të 2004-s, Haradinaj u zgjodh kryeministër, e në kampin opozitar mbetën PDK-ja dhe ORA, një parti e formuar pak para zgjedhjeve.

Ishte qeveri e trazuar kjo. Në këtë mandat janë ndërruar tre kryeministra.

Vetëm pas 100 ditësh Haradinaj luti për vëmendje:

“Kam dhënë dorëheqje të parevokueshme nga posti i kryeministrit. Këtë dorëheqje ua kam shprehë kryetarit të Kosovës, presidentit Ibrahim Rugova, ndërsa unë udhëtoj nesër për në Hagë”, kishte thënë Ramush Haradinaj.

Në vend të tij u vu Bajram Kosumi.

Disa kohë më vonë, Rugova kumtoi për probleme serioze me shëndetin.

“Mjekët kanë gjetur se vuaj nga kanceri i lokalizuar në mushkëri. Andaj më kanë caktuar një terapi intensive shëruese”, ishte njoftimi i presidentit Ibrahim Rugova.

Në fund të 2006-s Rugova humbi betejën me sëmundjen. Pas kësaj, me kërkesë të ndërkombëtarëve, qenë ndërruar njerëzit që ishin në postet më të larta drejtuese. Fatmir Sejdiu u bë president, Kosumi u zëvendësua nga Agim Çeku dhe Nexhat Daci ia lëshoi karrigen e kryeparlamentarit Kolë Berishës.

Legjislatura III – Qeveri për pavarësi (2007)

Image

Hashim Thaçi e Fatmir Sejdiu


Në zgjedhjet e nëntorit të 2007-s, LDK-ja më nuk e kishte për prijës Rugovën. Zgjedhjet e brendshme partiake prodhuan një garë të fortë për ta zëvendësuar liderin historik të kësaj partie. Në atë që njihej kuvend i karrigeve, Sejdiu fitoi, ndërsa Daci, që humbi në një diferencë jo të madhe, mblodhi disa eksponentë të LDK-së dhe krijoi një subjekt të ri politik.

Nga këto zgjedhje përfitoi PDK-ja. U bë partia më e votuar, duke ia hequr për herë të parë primatin LDK-së.

Thaçi arriti marrëveshje koalicioni me LDK-në, së cilës ia la postin e presidentit, ku u vu Sejdiu.

Koalicioni ishte bërë nën arsyen për unitetin që kërkohej në mandatin kur do të shpallej pavarësia e Kosovës.

Kur ishte konsumuar më shumë se gjysma e mandatit të rregullt, Sejdiu qe detyruar të jepte dorëheqje nga posti i presidentit, pasi Gjykata Kushtetuese dha verdiktin se ai po e shkelte Kushtetutën duke mbajtur njëkohësisht edhe funksionin e të parit të shtetit e edhe të kreut të LDK-së. Pas kësaj, Sejdiu i hoqi nga Qeveria ministrat e LDK-së, duke e lënë PDK-në të vetme në qeveri.

Legjislatura IV – Koalicioni i pakicës popullore (2010)

Kosova shkoi në zgjedhje të parakohshme në fund të 2010-s, pas mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë së Thaçit. Formalisht AKR-ja e Pacollit e inicioi këtë vendim, mirëpo kjo u bë me aminin e Thaçit. Kreu i atëhershëm i PDK-së donte të përfitonte nga situata që ishte në LDK, subjekt ky që sërish u përball me pakënaqësi të brendshme, kur në kuvendin zgjedhor Sejdiut i doli për kundërkandidat Isa Mustafa. Mustafa e fitoi garën me Sejdiun.

LDK-ja kishte refuzuar të lidhte sërish koalicion me PDK-në, dhe vendosi që pas gati 20 vjet të funksionimit të saj, të dalë në opozitë. Edhe AAK-ja pati shfaqur të njëjtat rezerva. LVV-ja, një subjekt i ri që hyri në Kuvend, pati shprehur shumë më herët qëndrimin për të mos bashkëqeverisur jo vetëm me PDK-në, por edhe me asnjë nga partitë e tjera që deri atëherë kishin provuar pushtetin.

Thaçi ia arriti të bënte një shumicë të ulëseve në Kuvend. Por kjo nuk ishte shumicë e shprehur në votën popullore, ngaqë mbështetja në Kuvend u bazua në deputetët e komuniteteve pakicë, të cilët kishin vende të rezervuara.

Marrëveshja e koalicionit me AKR-në dhe me komunitetet ia siguroi Thaçit mandatin e dytë si kryeministër, ndërsa Behgjet Pacolli u bë president. President për 30 ditë, meqë Kushtetuesja gjeti se ishte zgjedhur pa kuorumin e nevojshëm.

Jetëgjatësinë e koalicionit e shpëtoi ambasadori amerikan Christopher Dell, i cili e propozoi për presidente Atifete Jahjagën, një personalitet pak i njohur. LDK-ja në opozitë u përfshi në marrëveshje, nën kushtin që presidentja ta ushtronte mandatin vetëm deri kur të bëheshin disa reforma zgjedhore.

Megjithëkëtë, Thaçi nuk arriti ta përmbyllë as mandatin e dytë. Meqë Kushtetuesja ia njohu Jahjagës mandatin e plotë, marrëveshja me Isa Mustafën e LDK-së u prish, dhe disa muaj para skadimit të mandatit Kuvendi u shpërnda.

Legjislatura V – Koalicion “tradhtish” (2014)

Shpërndarja e Kuvendit prodhoi zgjedhjet e parakohshme të 8 qershorit të 2014-s, në të cilat sërish kishte marrë vota më së shumti subjekti politik që përfaqësonte Thaçi.

PDK-ja, ndonëse e dalë parti e parë për nga numri i votave, kishte mbetur e vetme në përpjekjen për ta bërë Qeverinë. Subjektet kryesore parlamentare refuzonin t’i bashkoheshin. LDK-ja dhe AAK-ja, por edhe Nisma, një parti e dalë pas çarjeve në PDK, patën firmosur një marrëveshje, nëpërmjet së cilës kishin nominuar Haradinajn për kryeministër. Më vonë marrëveshjes i ishte bashkëngjitur edhe LVV-ja.

Por, pasi Gjykata Kushtetuese dha interpretimin se edhe për kryeparlamentarin e edhe për mandatarin për Qeverinë, PDK-ja duhet ta japë propozimin duke qenë parti e parë, LDK-ja iku nga subjektet me të cilat kishte marrëveshje dhe iu bashkua PDK-së. Marrëveshja bëri që për herë të parë pas luftës, LDK-ja do ta drejtonte Qeverinë. Mustafa u zgjodh kryeministër. Marrëveshja e bëri Thaçin president të shtetit e kryeparlamentar Kadri Veselin, njeriun që e pasoi Thaçin edhe në drejtimin e PDK-së.

Koalicioni funksionoi pak më shumë se dy vjet. Në majin e 2017-s, PDK-ja përkrahi mocionin e mosbesimit të Qeverisë.

Legjislatura VI – Koalicioni parazgjedhor (2017)

Shkaku i interpretimit të Kushtetueses për mandatarin, në zgjedhjet që pasuan subjektet synuan me çdo kusht të bënin koalicione parazgjedhore, meqë vetëm subjektit të parë i njihej e drejta për ta propozuar mandatarin për formimin e Qeverisë. Përpara zgjedhjeve të 2017-s, AAK-ja e Nisma iu ofruan PDK-së, dhe garuan me Haradinajn kandidat për kryeministër, i cili u bë, por vetëm për gjysmë mandati.

Më 19 korrik, gjakftohtë ka qëndruar për një orë në mbledhjen e 111-të të Qeverisë dhe në fund të saj, nën emocione të forta, Haradinaj dha kumtin e dorëheqjes, pas një ftese që në cilësinë e të dyshuarit ia bëri Gjykata Speciale.

“Nderi i kryeministrit dhe i shtetit duhet të ruhet dhe unë nuk e poshtëroj asnjëherë. Në Hagë shkoj si Ramush Haradinaj”, pati thënë lideri i AAK-së.

Ftesa i erdhi në kohën kur ndërpreu komunikimin me dy përfaqësuesit më të lartë shtetërorë, presidentin Thaçi e kryeparlamentarin Veseli. Kjo, shkaku i refuzimit të kreut të deriatëhershëm të Qeverisë për ta hequr tarifën prej 100 për qind ndaj importeve serbe, pa të cilin vendim Beogradi zyrtar refuzon t’i rikthehet fazës finale të dialogut. Haradinaj këmbëngulte se me të është duke e parandaluar edhe çuarjen përpara të skenarit të “korrigjimit të kufijve” që shihet si eufemizëm për shkëmbim territoresh.

Pas dorëheqjes, Thaçi e shpërndau Kuvendin dhe vendi shkoi në zgjedhje.

Legjislatura VII – Dy koalicione (2019)

Para zgjedhjeve të tetorit të 2019-s, LVV-ja dhe LDK-ja, që u përafruan gjatë kohës sa ishin në opozitë, bënë disa përpjekje për koalicion parazgjedhor. Nuk ia dolën, dhe garës i hynë vetmas.

Pas zgjedhjeve, i rifilluan negociatat, të cilat zgjatën shumë. Në disa raste pësuan ngërç.

Megjithatë, marrëveshja u nënshkrua më 2 shkurt. Kurti u bë kryeministër e Glauk Konjufca, që paraprakisht ishte votuar për kryeparlamentar, u desh ta lëshonte karrigen e të parit të Kuvendit, në të cilën u vendos Vjosa Osmani.

Të nesërmen ligjvënësit votuan për Qeverinë.

Por ishte Qeveria më jetëshkurtër. Vetë LDK-ja inicioi mocion mosbesimi, diku 50 ditë pas bashkëqeverisjes me LVV-në. Sebep u bë shkarkimi i Agim Veliut nga Kurti, shkaku i mbështetjes së nismës së presidentit Thaçi për shpallje të gjendjes së jashtëzakonshme.

“Nuk mund ta mbështetësh shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme të paralajmëruar nga presidenti, pa u konsultuar me partnerin tënd të koalicionit. Nuk mundesh. Ose, edhe mundesh, por pastaj nuk mundesh, sepse të shkarkojnë”, kishte deklaruar Kurti.

LDK-ja s’e përpiu dot dhe u hakmor.

“Kemi vendosur që LDK-ja të iniciojë mocionin e mosbesimit për rrëzimin e Qeverisë Kurti”, pati thënë Mustafa.

Mocioni kaloi edhe me mbështetjen e partive në opozitë.

Është 23 prill 2020. Herët në mëngjes Isa Mustafa mbledh Kryesinë e partisë. Anëtarët e këtij forumi u panë në disponim të mirë, para se të vendosej për kandidatin për kryeministër. Zëvendëskryeministrin e Kurtit, LDK-ja e propozoi për kryeministër.

E, i propozuari dha një premtim ambicioz.

“Do të kalojmë suazat e koalicionit qeverisës për të dalë edhe tek opozita”, ishte shprehur Hoti.

Por ajo që u pa më vonë ishte një koalicion pakice. LDK-ja mbërriti marrëveshje me AAK-në, me Nismën e me komunitetet, dhe deputetët e të gjithave nuk e bënë shumicën. Shumica prej 61 votash u mbërri me votën e dy deputetëve të AKR-së, që vendosën të rrinin në opozitë.

Por një votë e koalicionit u bë sebep që Qeveria të bjerë – ajo e Etem Arifit, i cili jashtëligjshëm ishte certifikuar si kandidat për deputet. Gjykata Kushtetuese e anuloi dhe gjeti se Qeveria Hoti ishte zgjedhur pa pasur votat e mjaftueshme, e për pasojë urdhëroi që vendi të shkojë në zgjedhje.

Zgjedhjet u shpallën nga Vjosa Osmani, e cila në cilësinë e kryeparlamentares ushtron detyrën e presidentes, që prej nëntorit kur Thaçi u dorëhoq shkaku i përballjes me Specialen.

Osmani, e cila në zgjedhjet e shkuara ishte bartëse e listës së LDK-së, tani garon në listën e Vetëvendosjes, pasi partia e përjashtoi.

Kjo është fushata e parë në të cilën nuk përmenden vijat e kuqe nga partitë. Koalicioni që siguron së paku 80 vota në Kuvend duket i domosdoshëm, për të evituar zgjedhjet e reja që mund të prodhohen, në rast se në pranverë nuk zgjidhet presidenti.