Arbëri

“Hidrodrini” thotë se uji është i pijshëm nga ujësjellësi në Pejë, Istog, Klinë dhe Junik

Kompania rajonale e ujësjellësit “Hidrodrini” në Pejë ka njoftuar konsumatorët në komunat që i mbulon, se uji nga sistemi i ujësjellësit është i pijshëm në komunën e Pejës, Istogut, Klinës dhe Junikut.

Me një komunikatë, “Hidrodrini” i është drejtuar konsumatorëve se pas shfaqjes së problemeve shëndetësore të banorët e fshatrave të Deçanit, e ku sipas “Hidrodrinit” fillimisht u dyshua se uji i pijes mund të ishte faktor helmimi, tashmë, siç thuhet në këtë komunikatë kanë filluar të shpërndahen informata të pasakta për cilësinë e ujit në komuna të tjera të zonës së mbulueshmërisë së “Hidrodrini”.

“Njoftojmë opinionin dhe konsumatorët, se uji, në komunat; Pejë, Istog, Klinë dhe Junik është i pijshëm dhe plotëson të gjitha standardet e verifikuara nga IKSHPK. Pra, informatat dhe gjendja e paqartë me fshatrat e Deçanit është shqetësim i lokalizuar në vete dhe siç dihet, të gjitha mekanizmat janë në funksion të zgjidhjes së situatës atje në shërbim të përmirësimit të shëndetit qytetarë. Lusim qytetarët, të mos bien pre e asnjë informate të pa verifikuar. Të gjitha informacionet e sakta, në kohë reale, do të ndahen me publikun”, thuhet në njoftimin e KRU “Hidrodrini” në Pejë.