Arbëri

Hetime parapenale për shpenzimet e deputetëve për udhëtime

Prokuroria për zhvillon hetime parapenale për të vërtetuar nëse ekzistojnë prova të mjaftueshme për kryerjen e ndonjë vepre penale, në rastin e kompensimit të deputetëve për udhëtime për pjesëmarrje në seanca e komisione.

Prokuroria është duke mbledhur informata për të vërtetuar nëse deputetë të Kuvendit të Kosovës, ndër vite kanë kryer vepër penale me rastin e pranimit të kompensimit për udhëtime nga komunat në të cilat nuk kanë banuar. Këtë e ka bërë të ditur zyrtari përgjegjës për qasje në dokumente publike i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Astrit Kolaj.

“Lidhur me pyetjet tuaja, ju njoftojmë se jemi duke punuar në mbledhjen e fakteve dhe informacioneve për të vërtetuar nëse ekzistojnë prova të mjaftueshme për kryerjen e ndonjë vepre penale”, ka thënë Kolaj në një përgjigje për KOHË-n.

Kjo është faza e parë e hetimeve, që ndryshe njihet si fazë parapenale, kur ende nuk ka vendim për fillim të hetimeve.

Në mesin e dhjetëra deputetëve nga të gjitha partitë, që është raportuar se janë kompensuar për udhëtime, është edhe presidentja e vendit Vjosa Osmani. Ajo këtë e ka arsyetuar duke thënë se nuk e ka vërejtur këtë kompensim që i është bërë, pasi sipas saj deputetët në muaj marrin vetëm një pagesë, ku hyjnë paga bazë e të gjitha shtesat e tjera.

Pasi që shpenzimet e deputetëve për udhëtim u bënë publike, deputetët e Vetëvendosjes hoqën dorë nga këto para. Partia në pushtet ka bërë edhe një kërkesë për rishikimin e shpenzimeve për deputetë, përfshirë kompensimin për udhëtime e për telefona. Ajo aktualisht në shqyrtim në organet e Kuvendit.

Para dy javësh kërkesa është shqyrtuar në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere.

Në atë mbledhje kërkesa ishte arsyetuar nga shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, deputetja Mimoza Kusari-Lila, e cila kishte kërkuar që të vendoset një kufi për këto shpenzime.

“Të vendoset një tavan i shpenzimeve në raport me kompensimin e shpenzimeve mujore. Gjithashtu të rishikohen komplet shpenzimet ditore të deputetëve, të cilat janë të përcaktuara në varësi nga distanca, nga udhëtojnë deputetët për në vendin e punës, si dhe një zbritje të shpenzimeve të telefonisë mobile, kjo të paktën në 50 për qind”, kishte theksuar ajo.

Kërkesa e partisë në pushtet, nga PDK-ja ishte vlerësuar si populiste dhe hipokrite.

“Deri tash nuk ka pasur një reagim për këtë çështje pa u bërë publike. Mua më duket hipokrizi me u ngritë kjo çështje vetëm pse janë përmendur kolegët deputetë nga Vetëvendosje, por edhe ne si deputetë. Ne duhet ta kemi në fokus dinjitetin e qytetarit, por edhe të deputeti”, kishte thënë deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku. Sipas tij, rishikimi i shpenzimeve të deputetëve duhet të bëhet nëpërmjet Ligjit të pagave dhe Rregullores së Punës së Kuvendit.

Ndërsa për LDK-në kërkesa e LVV-së është e paqartë.

“Kjo paqartësi buron edhe prej shkresës së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, sepse në paragrafin e parë ky subjekt kërkon që në vendimin e vitit 2011 të rishikohet lartësia e kompensimit të deputetit, edhe kompensimi i shpenzimeve mujore që është pika e katërt. Unë propozoj që në mënyrë më strukturore ta trajtojmë komplet këtë vendim dhe t’i shkojë kryesisë propozimi vendimi i ri nga ky Komision, ku ne i rregullojmë edhe një herë të gjitha shtesat që marrin deputetët”, kishte thënë deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti.

Kompensimi i deputetëve për udhëtime, është realizuar konform një vendimi të marrë më 2011 nga Kryesia e Kuvendit.

Kompensimi bëhet për distancën në kilometra nga vendbanimi i deputetit deri në kryeqytet. Nëse deputetët banojnë deri në 30 kilometra larg Prishtinës, kompensohen me nga 10 euro, deri në 60 kilometra me nga 20 euro dhe mbi 60 kilometra me nga 30 euro.