Arbëri

Hetime ndaj “Trafikut” për mosdeklarim në kohë të monedhave të dyshuara si false

“Trafiku Urban” ndodhet nën hetime lidhur me mosdeklarimin në kohë të një shume prej afro 50 mijë eurosh në monedha 2-euroshe, të dyshuara se janë të falsifikuara. Sipas burimeve të KOHËS, hetimet kanë nisur në funddhjetorin e shkuar, në kohën e barazimit të bilanceve vjetore. Në Polici i konfirmuan hetimet e nga ndërmarrja publike nuk pranuan të flasin rreth rastit me justifikimin se nuk duan t’i pengojnë hetimet

Ndaj ndërmarrjes publike “Trafiku Urban”, që nga dhjetori i vitit të shkuar janë iniciuar hetime policore lidhur me mosdeklarimin në kohë të një shume prej afro 50 mijë eurosh në monedha prej 2-eurosh, që dyshohen si të falsifikuara.

Burime të KOHËS treguan se hetimet u nisën pas deponimit të kësaj shume në bankë, në kohën e barazimit të bilanceve.
Sipas burimeve, shuma është grumbulluar gjatë vitit, pasi gjatë deponimeve të rregullta banka ia ka kthyer ndërmarrjes, në mirëkuptim, monedhat që nuk kanë kaluar në pajisjet e verifikimit.
E për këtë nuk ka lëshuar ndonjë vërtetim që dëshmon se ato dyshohet që janë të falsifikuara apo të dëmtuara.

Në Polici konfirmuan se rasti është duke u trajtuar në koordinim me prokurorinë, përderisa në ndërmarrjen publike “Trafiku Urban” nuk pranuan të flasin me justifikimin se nuk duan t’i pengojnë hetimet.

“Policia e posedon si informacion dhe është duke e trajtuar në bashkëpunim dhe koordinim me prokurorinë kompetente”, thuhet në përgjigjen e Policisë.

Përgjigje pyetjeve të KOHËS rreth moslëshimit të ndonjë vërtetimi për dyshimin se monedhat janë të falsifikuara apo të dëmtuara nuk kanë dhënë nga banka ku ndërmarrja i deponon të hyrat.

Përderisa në Bankën Qendrore, ndonëse nuk iu përgjigjën pyetjeve konkrete mbi rastin, thanë se falsifikimi i parasë përbën vepër penale që sanksionohet me nenin 302 të Kodit Penal.

“Sikurse edhe në çdo vend tjetër, edhe në Republikën e Kosovës falsifikimi i parasë është vepër penale dhe sanksionohet sipas nenit 302 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Republika e Kosovës ka kapacitetet e veta ligjore dhe institucionale për luftimin e parasë së falsifikuar, andaj edhe lufta kundër kësaj dukurie është një aktivitet i përditshëm i institucioneve përgjegjëse”, thuhet në përgjigjen e Bankës Qendrore.

E neni 302 i Kodit Penal e parasheh masën e dënimit me burgim prej një deri në 8 vjet për këdo që e pranon dhe e vë në qarkullim me dijeni paranë e falsifikuar.

Policia gjatë vitit 2022 ka të iniciuara 804 raste për dyshimin e qarkullimit të monedhave dhe kartëmonedhave të falsifikuara, ndërsa 95 raste deri në fillim të shkurtit të sivjetmë.

Qarkullimi i tyre ka nxitur shumë tregtarë që të mos i pranojnë për pagesa.

Fehmi Prebreza, që ka një market në kryeqytet, thotë se konsumatorët nuk e marrin monedhën metalike 2 euro, ani pse, sipas tij, mundohet t’i verifikojë ato çdo herë përmes një magneti.

“Më problem ne shitësit e kemi për furnizim p.sh. kur e bien mallin edhe thonë vetëm ka 1 euro, vetëm të letrës, para të metalta jo. Unë ju them, ti p.sh. m’i jep 4 euro për një paqetë cigare 2.10 mos me t’i marrë a. Ne nuk kemi asnjë ligj p.sh. mos me t’i marrë paratë e metalta”, ka thënë Prebreza.

Qytetarët thonë se ka pasur raste që konduktorët e “Trafikut Urban” kanë dyshuar që 2 eurot janë të falsifikuara dhe nuk i kanë pranuar ato për të bërë pagesën.

Artiola Grabovci, nxënëse që udhëton çdo ditë për në shkollën “Ahmet Gashi”, u shpreh se ka ndodhur që mos t’i pranohet kjo monedhë për pagesë.

“Ka dyshu konduktori edhe për shkak që këtë kohën e fundit po thonë që 2 eurot janë shumë false, edhe po i ka kthy ka ndodhë, për shkak se udhëtoj çdo ditë”, ka thënë ajo.

Të njëjtën e ka theksuar edhe një i ri tjetër, Arian Aliu, që shfrytëzon linjën 3A.

“Ka ndodhur që konduktori me i kthy 2 euro se ka dyshu që janë të falsifikuara”, ka theksuar Arian Aliu.

Disa nga konduktorët, që folën në kushte anonimiteti, pranuan se ka pasur raste që nuk i kanë pranuan këto monedha dhe thanë se madje i kanë kërkuar ndërmarrjes për ndalimin e qarkullimit të tyre, por këtë e mohon drejtori operativ i “Trafikut Urban”, Mentor Isufi.

Sipas Isufit, është hera e parë që dëgjon se punëtorët e “Trafikut” nuk pranojnë monedha 2-euroshe.

“Në ligj nuk lejohet, është shteti, Qeveria, Kuvendi, i cili i bën ligjet i heq dhe i zbaton, nuk janë konduktorët me kërku dhe askush tjetër nuk mundet, sepse Ligji nuk e ndalon, nuk na e mundëson me ja ndalu mos me marrë një monedhë që është zyrtare në një shtet”, ka theksuar Isufi.

Falsifikimi i parasë është vepër penale dhe sanksionohet sipas nenit 302 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. KOHA ka raportuar edhe më parë për paratë e falsifikuara, ku nga Agjencia e Kosovës për Forenzikë është bërë e ditur se monedha dyeuroshe dhe kartëmonedha 100-euroshe janë më të falsifikuarat e që janë në qarkullim në Kosovë.