Për hulumtimin dhe dokumentimin e krimeve të kryera gjatë luftës, Hetemi ka treguar se kanë metodologji shkencore strike.
“Kemi metodologjinë shkencore strikte, të cilin e kemi hartuar me akterë të ndryshëm brenda vendit dhe ekspertë ndërkombëtarë. Instituti është ekskluziv në përdorimin dhe planifikimin e materialeve në mënyrën më të mirë duke u bazuar në metodologjinë shkencore strike. Ideja është që Instituti të prodhojë materiale shumë kredibile, të cilat do të përdoren si referencë për punime shkencore akademike nga institucionet e ndryshme brenda dhe jashtë Kosovës si dhe për raporte të ndryshme”, ka thënë ai në “Interaktiv” të KTV-së të martën.
Për raportin e fundit që i kanë dorëzuar institucioneve udhëheqëse të vendit, drejtori i Institutit ka thënë se ky raport ka pasur më shumë karakter informues për punët që janë bërë gjatë këtij njëvjeçari.
“Më 8 nëntor 2023 u themelu Instituti dhe pas një viti kemi dorëzuar raportin... raporti përmban informata lidhur me zhvillimet që kanë ndodhur gjatë këtij viti. Meqenëse ka qenë viti i parë, është dashur ta krijojmë një kornizë ligjore, rregullative dhe metodologjinë e punës dhe më pas ta zhvillojmë një infrastrukturë fizike, t’i kemi burimet njerëzore. Raporti përmban gjithë këto informata”, ka shtuar ai.
Sipas tij, ka pasur progres domethënës në këtë njëvjeçar.
“Kemi pas progres domethënës për këtë periudhë njëvjeçare. Kjo nuk vjen vetëm si rezultat i angazhimit tonë, por edhe mbështetjes së parezervë të Qeverisë. Kemi 189.5 gjatësi të materialit arkivor, jemi duke fol për materialin fizik, dhe disponojmë 15 terabajt material digjital (video, foto, dokumente)”, ka treguar Hetemi.
Për padinë për gjenocid ndaj Serbisë të cilën e pati përmendur kryeministri Albin Kurti para se t’i fitonte zgjedhjet, Hetemi u shpreh se Instituti nuk ka karakter hetues, por mund t’i shërbejë Qeverisë nëse do ta bëjë një gjë të tillë.
“Instituti ka karakter dokumentues dhe hulumtues, jo hetues. E ka pavarësinë dhe ka më shumë profil akademik se politik. Mandati jonë është t’i dokumentojmë dhe hulumtimet e krimeve gjatë luftës. Arkiva do të jetë në shërbim të institucioneve qeveritare, nëse vendosin të bëjnë padi për gjenocid nga Serbia”, ka deklaruar tutje ai.
Aktualisht, në Institutin për krimet e kryera gjatë luftës, sipas Hetemit, punojnë 28 persona. Ky numër do të rritet në 74, ashtu siç është paraparë me Ligjin për këtë Institut.
Hetemi bëri të ditur se më 17 shkurt do ta kenë konferencën e parë shkencore ndërkombëtare, ku do t’i prezantojnë gjetjet preliminare.