Drejtori i Institutit për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë, Atdhe Hetemi, ka deklaruar se Instituti është i obliguar që t’i hulumtojë krimet e kryera edhe gjatë periudhave të para ose pas luftës.
Të enjten në “Konfront” të KTV-së, Hetemi ka thënë se ligji është eksplicit në këtë drejtim dhe duhet respektuar.
“Ligji është shumë eksplicit në këtë drejtim. Fokusi kryesor në këtë fazën fillestare është periudha 1 janar 98 – qershor 99. Në aspektin kronologjik kur flasim, ligji është shumë eksplicit sepse thotë se Instituti për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë është i obliguar që të dokumentojë dhe hulumtojë krimet që janë kryer gjatë periudhës 1 janar 1998 – qershor 1999, krimet që kanë shpie deri te lufta, të periudhave të mëhershme dhe nuk përcakton afat kohor, mund të kthehemi shumë më prapa dhe krimet që kanë ndodhur në këtë periudhën e pasluftës e që është qershor 1999 – 31 dhjetor 2000. Ky aspekt kohor është i përcaktuar nga ligjvënësit dhe ne padyshim se do ta respektojmë atë sepse jemi të obliguar me ligj”, ka thënë ai.
Megjithatë, Hetemi ka konsideruar se është fatkeqësi, pasi sipas tij, ka pasur krime që kanë ndodhur edhe më vonë dhe që kanë qenë të ndërlidhura me luftën, si humbja e gjymtyrëve si pasojë e prekjes së minave.
Hetemi: Krimet e luftës në Kosovë, më të dokumentuara sesa në luftërat e tjera në ish-Jugosllavi
Atdhe Hetemi, drejtor i Institutit për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë, ka deklaruar se krimet e luftës në Kosovë kanë pasur mundësi të dokumentohen më së lehti në krahasim me luftërat e tjera në ish-Jugosllavi, por sipas tij, kjo s’është bërë plotësisht.
Ai ka thënë të enjten në “Konfront” të KTV-së se Kosovës i ka munguar një institucion i tillë që të bëjë grumbullimin dhe deponimin e dëshmive që lidhen me luftën.
“...Kam vërejtur se krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë kanë qenë më të dokumentuara në krahasim me krimet e bëra nga luftërat e tjera në ish-Jugosllavi. Kjo për shkak të intervenimit të parë të NATO-s, mediumeve të ndryshme apo shoqërisë civile pasi pas një periudhe kanë krijuar një eksperiencë. Kosovës i ka munguar një institucion që do të shërbente si pikë grumbullimi për t’u deponuar këto dëshmi”, është shprehur Hetemi.
Sipas Hetemit, në çdo takim janë ftuar institucionet shtetërore që merren me trajtimin e krimeve të luftës dhe shoqërive civile, që sipas tij, të përfitohet nga sugjerimet e tyre.