Arbëri

Heroit të nderuar me rrugë e sheshe iu shkrua mbiemri gabimisht

Rrugët e sheshet mbajnë emrin e tij – por me një gabim. Mbiemri i heroit Enver Zymeri në shumë pllaka mund të haset me një B tepër. Familjarët e tij thonë se mbiemri i tyre është Zymeri e jo Zymberi

Emri i heroit të vrarë 12 vjet më parë në operacionin e policisë për të kthyer nën kontroll pikat kufitare me Serbinë vazhdon të shkruhet me gabim.

Një rrugë në Prishtinë, në afërsi të stadiumit “Fadil Vokrri”, i është kushtuar heroit Enver Zymeri, por mbiemri i është shkruar me një shkronjë tepër.

Edhe një shëtitore në Vushtrri, afër lumit Sitnica, mban emrin e tij – po ashtu të shkruar gabimisht.

Në vend të Enver Zymeri, siç thonë familjarët se e ka, është shkruar Enver Zymberi.

Djali i tij, Sokoli, thotë se edhe në varr i është shkruar gabimisht, porse do të rregullohet së shpejti.

“Ne si familje kemi pasur gjithmonë mbiemrin Zymeri, por gjatë vitit 2011 pas rastit të rënies heroike të babait tim, është shpallur si hero me mbiemrin Zymberi, dhe arsyeja jonë e vetme që nuk kemi reaguar asgjë, ka qenë humbja e tij dhe gabimi ynë i vetëm është mosrregullimi i tij, por do të rregullohet së shpejti”, ka thënë Sokol Zymeri.

E në pllakën e zbuluar të mërkurën në kampin e policisë në Mitrovicë, që tash e tutje do të mbajë emrin e tij, mbiemri i është shkruar saktë – Zymeri.

Kryeministri Albin Kurti e Policia, në përkujtimet e tyre për vrasjen, po ashtu iu referuan si Zymeri.

Në Komunën e Vushtrrisë thonë se çështja nuk është aq e thjeshtë.

Sadik Xhema, zyrtar për Gjendje Civile në Vushtrri, të dy palëve u jep të drejtë.

“Është një lagje ‘Zymberi’ që është në fshatin Duboc, nga rrjedh edhe Enveri. Në libra figuron si ‘Enver Zymberi’. E kemi si dëshmi edhe letërnjoftimin e UNMIKU-ut që këto shënime ju kanë bartë tani edhe kur është verifiku personi në fjalë me mbiemrin Zymberi. Ndërsa te prindërit është me mbiemrin Zymeri. Familjarisht thirren Zymberi”, ka thënë ai.

Ai thotë se gabimi është nisur me UNMIK-un kur lëshoi letërnjoftimet e vazhdoi edhe pas vrasjes së tij, kur presidentja Atifete Jahjaga e shpalli hero më 2011, me emrin Enver Zymberi.

“Prindërit e kanë me Zymeri”, ka shtuar ai.

Enver Zymeri u vra 12 vjet më parë në veri, teksa policia futi nën kontroll pikat kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak.