Arbëri

Heqja e vizave për shtetasit me pasaporta të Serbisë, Vokrri: Precedent për situata përtej rajonit

Të mërkurën është nënshkruar dekreti për heqjen e vizave për shtetasit e Republikës së Kosovës që kanë pasaporta të Serbisë – vendim i Këshillit të Bashkimit Evropian i cili u kritikua dhe kundërshtua nga Qeveria e Kosovës.

Zëvendësministri i Pushtetit Lokal, Arbër Vokrri, ka thënë se në këtë mënyrë cenohet sovraniteti i Republikës së Kosovës. Sipas tij, ky veprim vë precedent për përtej rajonit.

“Me këtë gjest nga Parlamenti Evropian cenohet sovraniteti i Republikës së Kosovës. Këta janë qytetarë të Kosovës dhe pasaportat e shtetit tonë e kanë të njëjtën vlerë. Është krejtësisht e panevojshme të pajisen me pasaporta të Serbisë e pastaj të aplikohen politikat e liberalizimit të vizave pas asaj... kjo e jep një shembull të keq, e vë një precedent për situata tjera përtej rajonit. Për shembull Ukrainën ose Gjeorgjinë, çka nëse Rusia fillon të ndajë pasaporta për qytetarët në zonat që ka pushtuar dhe të pranohen ato pasaporta. Pra është cenim i sovranitetit të shteteve përkatëse. Është për keqardhje”, ka thënë ai në emisionin “60 Minuta”.

Vokrri ka shtuar se disa serbë kanë pasaporta të Kosovës, disa kanë refuzuar e disa janë penguar.

“Disa kanë pasaporta të Kosovës, disa kanë refuzuar të aplikojnë me kohë për nënshtetësi të Kosovës. Pastaj ka një numër të qytetarëve serbë që edhe nëse kanë pasur vullnetin për nënshtetësi, janë penguar nga zyrtarët e strukturave paralele në veri, kryesisht të Listës Serbe”, është shprehur tutje.

Sa i përket çështjes së hapjes së Urës së Ibrit, Vokrri ka theksuar se nuk ka ndryshim qëndrimesh.

“Çështja e urës i ka tejkaluar proporcionet e të logjikshmes. Nëse e kemi KFOR-in që në çdo reklamë e përmend që mision e ka ta mundësojë lirinë e lëvizjes për të gjithë, dhe pastaj ndodhin situata ku kjo organizatë vendos një kordon mbi urë, duket e çuditshme”, ka potencuar ai.

Zëvendësministri ka thënë se nuk pritet ndonjë trazirë në veri, përveç ndonjë pakënaqësi që, sipas tij, mund ta nxisë faktori ndërkombëtar.

“Nuk është e pritshme të ketë trazira, ajo që mbase mund ta bëjë të mundshme një shprehje të pakënaqësisë nga disa qytetarë serbë do të ishte nxitja që ua bënë faktori ndërkombëtar. Prania ndërkombëtare, sidomos diplomatët, një numër i tyre, mbajnë kontakte dhe marrëdhënie me atë pjesën më ekstreme të qytetarëve të organizuar serbë, pakicë, dhe i injorojnë në tërësi shumicën e serbëve dhe përfaqësuesve të tyre”, ka thënë ai.

Vokrri është shprehur se trazirat në veri nganjëherë vijnë menjëherë pas “një gjesti inkurajues që e bën dikush nga prania ndërkombëtare në Kosovë”.

“Nuk po them se u thonë direkt dilni dhe hidhni gurë. Por, e qartë është favorizimi asimetrik tejmase i një grupi të ekstremistëve kundrejt një shumice që i kanë po ashtu organizimet e veta. Nëse vazhdimisht takohen me njërën palë, i financojnë për projekte, i inkurajojnë duke ua njohur idetë, e duke i njohur anën tjetër që ftojnë për integrim, është e qartë kush është faktor destabilizues”, ka përfunduar zëvenedësministri.