Viti i ri e ka gjetur Kosovën nën masa ndëshkuese të BE-së, të vendosura gjashtë muaj më parë. Vendimi për heqjen e tyre varet nga një letër që përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell, duhet ta përcjellë në Komisionin Evropian. Në Qeveri thonë se Borrelli duhet ta bëjë këtë sa më shpejt.
Vendimi për heqjen e masave ndëshkuese të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës ka mbetur peng i një letre të përfaqësuesit të lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell.
Masat janë vendosur në qershor të vitit të shkuar e për to Këshilli pati thënë se janë të përkohshme dhe mund të hiqen kur Kosova të përmbushë kushtet e caktuara.
Në Qeveri thanë se ndodhen në pritje që Borrelli ta njoftojë Komisionin Evropian se Kosova i ka përmbushur obligimet që ka pasur në lidhje me depërshkallëzimin e situatës në veri.
“Vendosja e masave ndaj Kosovës ka qenë e vazhdon të mbetet e padrejtë. Kosova i ka përmbushur obligimet e saj dhe rrjedhimisht masat është dashur të hiqeshin me kohë. Siç e kemi parë edhe në konkluzionet e fundit të Këshillit të BE-së më datë 12 dhjetor, tashmë pritet raporti i përfaqësuesit të lartë të BE-së, Borrell, për ta konstatuar edhe me shkrim këtë drejt Komisionit Evropian, i cili do të çonte pastaj në heqjen e masave. Në vazhdimësi kemi kërkuar që sa më parë të dërgohet letra drejt Komisionit Evropian, ku njoftohet për përmbushjen e kërkesave nga ana e Kosovës dhe heqjen e masave ndëshkuese ndaj vendit tonë”, tha Klisman Kadiu, këshilltar për media i zv. kryeministrit Besnik Bislimi.
Në zyrën e Borellit nuk treguan se kur do t’i përcillet letra Komisionit Evropian përkitazi me masat ndaj Kosovës.
Se masat ndëshkuese janë vendosur në mënyrë të padrejtë thonë edhe njohës politikë, të cilët druajnë se kushtet për heqje të tyre mund të ndryshojnë.
“Disa masa ndëshkuese ndaj Kosovës janë vendosur në mënyrë të padrejtë. Derisa të kemi rezultate konkrete ose të përfundojmë procesin me një marrëveshje të zbatueshme, masat mund të mbeten në fuqi. I mbetet Kosovës që të punojë me aleatët e saj për të përmbushur zotimet dhe obligimet për zbatim të marrëveshjes e të obligimeve dhe në këtë mënyrë presioni do të bjerë mbi Serbinë e jo mbi Kosovën”, tha analisti Visar Xani.
Masat ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës janë të karakterit ekonomik e edhe politik.