Arbëri

Heqja e barrikadave përcillet me akuza për marrëveshje të fshehtë Kurti-Vuçiq

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti se ka arritur marrëveshje të fshehtë me presidentin Aleksandar Vuçiq për heqje të barrikadave. Në konferencën e fundvitit, Krasniqi ka renditur një sërë çështjes sipas së cilit qeverisja e Kurtit dështoi t’i realizonte.

Partia Demokratike e Kosovës ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti për marrëveshje të fshehtë me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për heqjen e barrikadave.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se papjekuria e Kurtit e ka sjellë Kosovën në një situatë ku Vuçiqi vendos se çka do të ndodhë në territorin e Kosovës.

“Ajo çka është evidente tashmë është fakti se papjekuria totale e kryeministrit Kurti, qasja e gabuar në raport edhe me partnerët ndërkombëtarë, por, mbi të gjitha, papërgjegjësia e tij për të ushtruar obligimet kushtetuese dhe ligjore që kanë sjellë një situatë të turpshme për vendin tonë, ku presidenti serb nga Rashka na tregon si dhe çka do të ndodhë në territorin e Kosovës në veri. Kjo është e pashembullt që s’ka ndodhur kurrë më herët në historinë e Kosovës”, ka thënë Krasniqi.

2022-ta, sipas Krasniqit, ishte njëri prej viteve më të brishtë për Kosovën që prej shpalljes së Kosovës si shtet sovran.

“Nuk ofron asnjë të ardhme për Kosovën dhe shoqërinë. Duke mos pasur të ardhme ka filluar të tërheqë krejt Kosovën, qytetarët tanë në gjendje depresioni kolektiv dhe degradimi shtetëror...Kosova është duke kaluar një prej momenteve më të brishta prejse është shpallur shtet i pavarur dhe sovran. Pa dyshim edhe një moment të brishtë dhe të paprecedentë në 23 vjetët e ekzistencës sonë si vend i lirë”, ka deklaruar ai.

Dështim të kësaj qeverie, sipas Krasniqit, pati edhe në politikën e jashtme, në shëndetësi, arsim e drejtësi.

Në fund Krasniqi theksoi se në momentin që opozita i siguron 61 vota, ai do të nisë mocionin e mosbesimit për rrëzimin e Qeverisë Kurti.