Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka deklaruar se procesi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë nuk është më vetëm nën mbikëqyrjen e Bashkimit Evropian, por edhe të Shqipërisë, duke e cilësuar këtë si “me rëndësi të madhe dhe duhet t’i gëzohemi”
Haziri ka shkruar në Facebook të dielën se është problematik që presidenti i Francës, Emmanuel Macron ka takuar homologun serb, Aleksandar Vuçiq, por jo edhe kryeministrin Albin Kurti, duke shtuar se paqja e fituar 25 vjet më parë “po rrezikohet sot nga vetë ne”.
Ai ka përmendur edhe sulmet e fundit nga Irani në drejtim të Izraelit si një situatë të re lufte.
“Sulmi i Iranit ndaj Izraelit përbën një situatë të re dhe gjendje lufte. Marrëdhëniet Kinë e Kore e Veriut po avancohen. Po ndërtohet boshti i të keqes. Lufta në Ukrainë me krejt tragjedinë e saj po vazhdon. Duhet të dënohet por të shihet sa keq po ndikon në Ballkan dhe për ne. Tashmë formati i dialogut në Ballkanin Perëndimor, ku prioriteti i parë është Kosova dhe Serbia, nuk është vetëm nën kujdesin e treshes së BE-së Scholc-Macron-Meloni, por edhe kryeministri Rama nga regjioni ynë ka marr rol kritik. Kjo ka rëndësi të madhe dhe duhet t’i gëzohemi. Problemi mbetet që takimi i Presidentit Macron me homologun serb ka ndodhur dhe për herë të parë nuk kemi takim të kryeministrit Kurti në këtë format”, ka deklaruar nënkryetari i LDK-së.
Sipas Hazirit, kjo periudhë kohore duhet të shihet drejt se “çka po ndodh me Republikën tonë”.
“Roli i SHBA-së dhe aleateve është demonstruar me forcë para 25 vitesh. Luftën e kemi fituar por sot paqen e kemi rrezikuar vetë ne. Ata që kanë harruar këtë, le ta shohin një pjesë të saj sot se çka do të thotë miqësi e përhershme me SHBA-të, të cilët e mbrojnë aleatin në çdo kohë dhe me krejt kapacitetet. Koha me pa drejt e krejt çka po ndodhë me Republikën tonë”, ka shtuar ai.