Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka deklaruar se nuk do t’i shkojnë në takime Lëvizjes Vetëvendosje, pasi tha se “s’ka nevojë të humbet kohë”.
Ai ka deklaruar se qëndrimi i LDK-së nuk ka ndryshuar.
“Nuk kemi parë qëllim për t’u takuar sa për t’u parë. Qëndrimi i LDK-së nga debati është konfirmuar dhe i njëjti. Meqë s’kemi ndërruar qëndrim politik, s’kemi nevojë t’i shkojmë askujt në takim e as të ndihemi të përdorur. Ky qëndrim politik është zbardhur dhe konfirmuar nga z.Abdixhiku. Ne nuk shohim asnjë qëllim”, ka thënë Haziri.
Për konstituimin e Kuvendit ai ka thënë se është detyrë e partisë fituese të zgjedhjeve dhe se askush nuk e ka ndërmend me “i dhënë partisë së parë oksigjen politik”.
“Nuk duhet të sillet me këtë sjellje politike. Për konstituimin e Kuvendit sepse askush s’e ka ndërmend t’i japë partisë së parë oksigjen politik në kohën kur del në holl, bën me gisht dhe vazhdon...Kurti e ka konfirmuar se po punon me 48 deputetë dhe me komunitete etnike, me të cilët po ndërton marrëveshje të interesit politik. Atyre iu ka thënë se nuk i ndërron partnerët në Qeveri dhe ‘ju duhet të vini të më ndihmoni’”, ka shtuar Haziri.
Ai ka thënë se është dashur të ndërtohet mekanizëm për dialog.
Haziri ka thënë se qytetari i Kosovës është “helmuar me politikë përçarëse”.
Ai ka thënë se kjo vërehet veçanërisht në vende më të largëta.
“Sa më larg Prishtinës që është, merret më seriozisht puna. Është e panatyrshme, e padobimshe, që për fotografi në mure me u përça pppullata. Në kohën kur ky popull ka bërë dy herë pajtime të mëdha...Duhet shëruar. Sa kohë merr nuk e di”, ka thënë Haziri.
Haziri: Kurti udhëhiqet nga një agjendë e fshehur
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka deklaruar se kryeministri Albin Kurti udhëhiqet nga një agjendë e fshehur, derisa shtoi se kjo nuk është e zbardhur sa duhet as nga Lëvizja Vetëvendosje.
Ai ka shtuar se Kurti nuk rri rehat dhe “bën përpjekje të vazhdueshme të mbërrijë shumicën edhe jashtë syve të publikut”.
“Unë gjithmonë kanë thënë se z.Kurti po udhëhiqet nga një agjendë e fshehur, që as për VV-në nuk është e zbardhur deri diku. Është term i njohur, kanë liderë instanca të caktuara, ku demokracitë s’janë në shkallë e nivel të kënaqshëm. Ne e dimë se Kurti nuk rri rehat, po bën përpjekje të vazhdueshme të mbërrijë shumicën. Jashtë syve të publikut, jashtë dijeve tuaja dhe të qytetarëve”, ka thënë Haziri.
Ai ka deklaruar se Kosova po kalon në pjesën e fajësimit publik, teksa tha se politikisht është “loja e nervave dhe e presionit publik”.
“Është zotësi politike e aftësi që në seancën e parë të Kuvendit të shkohej me marrëveshje të plotë”, ka thënë ai.
Haziri shtoi se zgjedhjet e reja nuk do të duhej t’i konvenonin partisë së parë.
“Vetëm një partie nuk do të duhej t’i konvenonin (zgjedhjet e reja). Atij që i ka fituar zgjedhjet. Të tjerëve në rrethanë të re, është rrethanë e re...LDK-ja gjithmonë është angazhuar për rezultat solid, në mendësi ka pasur bashkëpunimin me të gjithë, duke i prekur edhe plagët e veta”, ka shtuar nënkryetari i partisë që në zgjedhjet e 9 shkurtit doli e treta.
Për Kurtin, Haziri ka shtuar se ende po flitet për konstituimin e Kuvendit derisa “është çështjeve javësh kur duhet të thirren zgjedhjet lokale”.
“Nëse Kurti vazhdon me këtë format që t’i zgjidhë problemet hap pas hapi, kjo nënkupton se vështirë do të ketë progres në konstituimin e institucioneve”, ka shtuar ai.
Haziri tha se LDK-ja është e gatshme për zgjedhje të jashtëzakonshme, por shtoi se “Kosovës nuk e konvenojnë ato”.
Haziri: Kurti e ka mbyllur partneritetin më 9 shkurt
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka deklaruar se kryeministri Albin Kurti më 9 shkurt e ka mbyllur partneritetin me partitë e tjera.
Ai ka thënë të hënën në “Interaktiv” të KTV-së se Kurti e kishte mbyllur mundësinë për bashkëpunim nëpërmjet fjalëve ofenduese në natën e zgjedhjeve parlamentare, teksa shtoi se partneriteti “ndërtohet, e nuk është akt”.
Ai foli për një krizë politike që tha se “do të thellohet”.
“Kjo është krizë politike. Sa do të thellohet varet nga iniciativa e partisë së parë. Varet nga sjellja e partisë së parë. S’do të duhej nga të tjerët të bënin veprime. Kurti më 9 shkurt ka dalë dhe e ka mbyllur partneritetin. Ka thënë unë partnerët i kam zgjedhur, s’kam të tjerë”, ka thënë Haziri.
Ai ka shtuar tutje se pa marrëveshje politike nuk do ketë ecje përpara.
Ai foli për zgjidhjen e kryetarit të Kuvendit, ku tha se ky tashmë është proces politik, e jo procedural.
“Ky është proces politik, e jo procedural. Ftesat për konsultime si ‘ne e kemi kandidatin për kryeparlamentar, e ju bini kandidatin për nënkryetar’. Kjo s’është zgjidhje sepse udhërrëfyesi i Gjykatës Kushtetuese ekziston...Partia e parë duhet të bëjë përpjekje për të krijuar shumicën që mundëson zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit”, ka thënë Haziri.
Nënkryetari i LDK-së shtoi se brenda Vetëvendosjes ka emra të tjerë për postin e kryetarit të Kuvendit, duke shtuar se “ka qenë befasi lëvizja e Glauk Konjufcës nga pozita e kryetarit të Kuvendit”.