Violeta Haxholli, hulumtuese në Institutin Demokratik të Kosovës, e ka quajtur hap mbrapa në zhvillim të demokracisë dhe luftën ndaj korrupsionit, seancën e mbrëmjes të së enjtes në të cilën pushteti, pa praninë e opozitës, miratoi disa ligje në procedurë të përshpejtuar.
Haxholli e ka quajtur “të çuditshme” organizimin e seancave në mbrëmje, teksa ka thënë se miratimi pa diskutime të mirëfillta i ligjeve nuk është bërë në frymën e parimeve të demokracisë.
“Për vlerësimin tonë, kanë qenë tri seanca të pazakonta, sepse dy ishin të planifikuara, ndërsa një e jashtëzakonshme e ftuar në mes të natës. Ishte proces shumë i shpejtë, me të gjitha ngjarjet që ndodhën brenda këtyre tri seancave, një nguti e madhe e partisë në pushtet për t’i miratuar disa projektligje, disa me rëndësi jetike e shumë të diskutuara si ai për Byronë për konfiskim të pasurisë, që u miratua pa qenë fare në konsultim publik e pa diskutim të mirëfilltë para shqyrtimit të dytë në komisione”, ka thënë ajo në emisionin “60 Minuta” në KTV të premten.
Haxholli ka shtuar se ngutia “s’mund të justifikohet”, sepse siç ka deklaruar ajo më me rëndësi është “të ruhen parimet dhe vlerat demokratike, të fuqizohet lufta ndaj korrupsionit të shkojmë drejt hapave të progresit”. “Dhe kjo seancë ishte në hapa mbrapa edhe në zhvillim të demokracisë, edhe në luftën kundër korrupsionit”, është shprehur Haxholli.
Sipas saj, një prej arsyeve pse ka pasur mundësi që pushteti t’i mbajë seancat në mbrëmje ka qenë sfida për sigurimin e kuorumit. “E dimë se gjatë kësaj legjislature shpesh janë ndërprerë seancat në gjysmë, në mungesë kuorumi”, ka thënë ajo.
Për mospjesëmarrje në seancë, Haxholli e ka kritikuar edhe opozitën.
“Ka qenë zhgënjyese edhe qasja e opozitës, e cila nuk ishte prezentë në ato seanca për të siguruar njëlloj kërkimllogarie nga Qeveria. Pra u braktis nga partitë opozitare dhe ishte vetëm një pra që totalisht i menaxhoi dhe i përfundoi procedurat sipas dëshirës së vet dhe jo shumë në frymën e parimeve demokratike. Fakti që ata kanë zgjedhur të mos marrin pjesë, ia kanë pamundësuar vetes një lloj roli në ligjbërje. Do të duhej të ishin sepse projektligjet bëhen për qytetarët dhe duhet të kalojnë në proces të filtrimit dhe diskutimit nga të gjithë akterët. E kur bëhen vetëm nga pushtetin mbesin pa mbikëqyrje nga pjesa tjetër”, ka thënë ajo.