Haxhiu ka thënë se është shqetësuese diskursi dhe vlerat që po tentohen të humben si shoqëri. Ajo ka thënë se nuk mund të quhet hero një person i dënuar për vepra të rënda kriminale. Ajo është deklaruar pasi është intervistuar nga Prokuroria Speciale.
Hajrizi dyshohet se u vra në Serbi të premten, afro dy ditë pasi u raportua se ai dyshohet se e vrau një polic serb në Serbi.
Ministria e Jashtme e Kosovës ka thënë se gjurmët e gishtërinjve që janë dërguar nga Serbia të hënën përputhen me ato të Faton Hajrizit. Hajrizi ishte arratisur nga burgu i Smrekonicës.
Haxhiu në një postim në Facebook të premten kishte thënë se Serbia ndihmoi në disa arratisje nga burgjet e Kosovës.
Të martën, pasi u intervistua nga Prokuroria Speciale për ditën e dytë me radhë, Haxhiu tregoi për kërcënimet e mara.
“Është e habitshme e shokuese që një nga pyetjet që më është parashtruar, është se çka ke menduar ti me ndikimin e Serbisë në burgjet e Kosovës...Më duhet të them se është shqetësues diskursi e vlerat që po tentohen t’i humbim si shoqëri. S’mund ta quajmë hero një person që ka vepra të rënda, i cili ka plagosur polic të Kosovës, i cili është dënuar për vepra të rënda kriminale. Pas reagimit e pas qasjes time që pata në vazhdimësi, natyrisht se pranova kërcënime nga individë të ndryshëm. Kemi konsideruar, vlerësimi i rrezikshmërisë bëhet së shpejti, për ta shmangur çfarëdo situate, kemi parë të rëndësishme përkohësisht të kemi mbrojtje”, tha Haxhiu.
Ajo ka thënë se mund të konsiderohet "t’i bëhet riautopsia trupit të Faton Hajrizit".
“Është jashtëzakonisht e rëndësishme kjo. Është thënë se gjurmët përputhen me personin, por natyrisht se duhen informata më të shumta nga institucionet. Me kërkesë të familjes apo nga prokuroria mund të bëhet kjo”, tha Haxhiu.
Haxhiu pas intervistimit në Prokurorinë Speciale: Dikujt po i pengon puna e Qeverisë
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se dikujt po i pengon puna e Qeverisë për reformën në drejtësi. Këto deklarata ajo i bëri të martën pasi përfundoi intervistimin më shumë se dy orë në Prokurorinë Speciale për deklaratat rreth Faton Hajrizit.
Ministrja Haxhiu u intervistua për ditën e dytë me radhë nga Prokuroria Speciale pasi pati pretenduar ditë më parë se arratisjet e fundit nga burgjet e Kosovës – e mes të arratisurve ishte edhe Faton Hajrizi – janë lehtësuar dhe organizuar nga Serbia.
Sipas Haxhiut, shkrimi i ditëve më parë në Facebook është diçka që ajo thotë se e ka thënë edhe më herët.
“Siç e dini me urdhër të Prokurorisë Speciale, dje dhe sot jam intervistuar në një rast që ka të bëjë me një deklaratë timen që nuk e kam thënë për herë të parë, që ndërlidhet me përpjekjen e prokurorëve dhe gjyqtarëve për takime, për favore... me ç’rast ne si Qeveri nuk funksionojmë si në të kaluarën, por që e kemi obligim t’i adresojmë reformat në drejtësi për të cilat ju tashmë e dini se po punojmë në vazhdimësi dhe duket se dikujt po i pengon. Siç duket Prokuroria Speciale po tenton të më pengojë në punën time me ç’rast e keni parë që çdo deklaratë që unë e kam dhënë, ata menjëherë kanë autorizuar policinë për të më kërkuar intervistim”, u shpreh ajo.
Haxhiu ka deklaruar se Prokuroria më shumë po rri në profilin e saj në Facebook sesa po kryen përgjegjësitë e veta ligjore.