Arbëri

Haxhiu: S’e di cila forcë i ka liruar serbët e dyshuar në Prizren, por jo forca e ligjit

Albulena Haxhiu - ministrja e Drejtesise gjate konferences per media

Foto: Alban Bujari

Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se është shqetësuese lehtësia e lirimit të serbëve të arrestuar të dielën në Prizren, për të cilët ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se janë oficerë aktivë të sigurisë së Serbisë. 

Pas lirimit të sotëm të dy prej tyre dhe 10 të tjerëve po atë ditë, Haxhiu ka thënë se nuk ka pasur kërkesë për paraburgim, pavarësisht provave të bollshme për t’i ndaluar.

“Në grupin 12 serbëve të arrestuar në Prizren, kishte persona aktivë të shërbimeve të sigurisë serbe. Të arrestuarit në Gjakovë e Prizren kishin lidhje të forta edhe me organizatorët dhe pjesëmarrësit e sulmit në Banjskë. Në Prizren 10 prej 12 u liruan që atë ditë sepse nuk kishte kërkesë për paraburgim, ndërkohë sot qenkan liruar edhe dy. Pra, pavarësisht provave të bollshme për t’i dërguar në paraburgim dhe hetim të mëtutjeshëm. Është vërtetë shqetësuese lehtësia e lirimit të këtyre personave dhe hedhja poshtë e aksioneve policore dhe institucioneve tjera të sigurisë, të cilët kapën me fakte e dëshmi këto dy grupe”, ka shkruar ajo. 

Ajo tutje ka thënë se nuk e di se cila forcë i ka liruar të dyshuarit, por jo forca e ligjit. 

“Po harxhojnë aq shumë resurse e kohë institucionet e sigurisë, si dhe po rrezikohen punonjësit e këtyre, e në fund të arrestuarit lirohen?! Nuk di cila forcë tjetër i ka liruar këta persona sepse siç duket qartë forca e ligjit dhe e drejtësisë këtu nuk ka pasur peshë”, ka shtuar ajo. 

Me këtë fjali të fundit ka reaguar edhe ministri në detyrë i Brendshëm, Xhelal Sveçla.