Tri dyshime kryesore në një raport të Inspektoratit për rastin e aktivistit të Vetëvendosjes, Astrit Dehari, që u gjet i vdekur në qelinë e tij më 2016 në qendrën e paraburgimit në Prizren, i ka përmendur ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu. Ajo ka thënë se gjetja e parë ishte që kamerat ishin marrë nga zyrtarët korrektues para se t’i merrte policia, se ishin dy raporte të inspektorëve me njërin që përmendte vetëvrasjen e tjetri vdekjen si dhe një tjetër shkelje, sipas raportit, ndërlidhte transferimin e dëshmitarit kryesor të rastit, Naser Makolli, tash i ndjerë.
Në Interaktiv të KTV-së ajo ka thënë se vlerësimin për të kërkuar inspektim për rastin e pati marrë pasi nga terreni “nuk vinin informacione të plota”. Sipas saj, raporti kishte për detyrë të sqaronte nëse zyrtarët që ishin të përfshirë në datën 5 nëntor 2016, i kishin kryer detyrat sipas legjislacionit në fuqi. Ajo ka thënë se gjatë inspektimit ka pasur pengesa për zyrtarët që të kryejnë punën e tyre, duke përmendur edhe kryeinspektorin për tentim-interferimi.
“Ajo që ishte jashtëzakonisht shqetësuese, kur e mora raportin kam kuptuar se kamerat, gjithnjë sipas dokumentacionit përcjellës, në një prej pikave thuhet se marrja e incizimeve ka ndodhur me aprovim të ish-drejtorit të Qendrës në Prizren, por para se t’i merrte Policia. Ka raste që ndodhin edhe tani incidente të ndryshme. Kurdo që ndodh vepër me elemente penale, s’mund të ndërhyjë inspektorati pa e bërë punën e vet Policia. Autorizimin e kanë pasur nga drejtori i qendrës së paraburgimit në Prizren, Destan Zogaj, te kryeinspektori dhe zyrtarë tjerë të Shërbimit Korrektues”, ka thënë ajo. Sipas Haxhiut, Policia i kishte marrë pamjet më datë 6, ndërsa më datë 5-6 dhe 7 ato ishin marrë nga kryeinspektori dhe zyrtarët korrektues.
Shkelje e dytë, sipas raportit që e citon ministrja, është shkrimi i dy raporteve për rastin, më 14 dhe 21 nëntor 2016.
“Në të parin thuhet se po bëhet inspektim i jashtëzakonshëm mbi rastin e vetëvrasjes. E në të dytin, mbi rastin e vdekjes. Inspektorati s’ka të drejtë të deklarohet se a është vetëvrasje a vrasje. Në asnjë rrethanë. Këtë e bëjnë institucionet përkatëse. As instituti i mjekësisë ligjore s’ka të drejtë të tregojë. E vlerësojnë, Policia, Prokuroria dhe gjykatat”, ka thënë Haxhiu.
Sipas saj, raporti që përmend vetëvrasjen nuk po pranohet nga kryeinspektori edhe pse aty qëndron nënshkrimi i tij.
“Nuk mund ta di nëse ai nënshkrim është i saktë. Për sa kohë ai thotë se s’e ka shkruar këtë raport, i bie se ose është i falsifikuar e duhet të kuptohet kush e ka falsifikuar atë nënshkrim, e nëse jo përse ka nevojë të thuhet se s’e ka bë atë”, ka thënë ajo.
Haxhiu ka përmendur si shkelje të tretë transferimin e zyrtarëve, “që kanë pasur masë disiplinore për transferim”, në Lipjan, në po të njëjtin institucion ku ishte transferuar dëshmitari kryesor, Naser Makolli.
“Inspektorati e konsideron këtë shkelje sepse i ke bërë bashkë dëshmitarët. Edhe këtë e kam parë me shqetësim”, ka thënë ministrja.
Të gjitha ngjarjet pasuese, nga deklaratat e zyrtarëve të drejtësisë atë kohë se bëhet fjalë për vetëvrasje e deri te falja e njërit dëshmitar “nga ish-presidenti Hashim Thaçi”, ministrja Haxhiu ka thënë se e bëjnë rastin e ndjeshëm, në masë që nuk mund të zgjidhet nga një prokuror i vetëm. Sipas saj, ka nevojë për ekip të gjerë me policë profesionistë e prokurorë specialë.
Haxhiu ka njoftuar se dosjen e ka dërguar te Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, që ka njoftuar se e ka dërguar atë te Prokuroria Speciale.
Astrit Dehari ka vdekur në nëntorin e 2016-s, derisa ndodhej në paraburgim nën dyshimin se ishte pjesë e një grupi që kishin hedhur një granatë në drejtim të ndërtesës së Kuvendit. Prokuroria Speciale ende nuk ka dalë me përfundim nëse behët fjalë për vrasje apo vetëvrasje.
Lëvizja Vetëvendosje sa ishte në opozitë, pati premtuar zbardhjen e këtij rasti.