Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) e Gjykata Supreme refuzuan t’i kryenin detyrat e tyre, derisa foli për votat me postë që Lëvizja Vetëvendosje pretendon se janë manipuluar nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK).
Haxhiu ka shkruar në Facebook se PZAP-ja dhe Supreme “i mbyllën sytë përball këtij krimi”, derisa ka kërkuar nga Prokuroria që t’i zgjerojë hetimet ndaj anëtarëve të Kryesisë së LDK-së.
Ministrja ka thënë se vullneti i qytetarëve duhet të mbrohet.
“PZAP dhe Gjykata Supreme e kanë pasur për detyrë ruajtjen e vullnetin të qytetarëve, megjithatë, ndonëse ishin të vetëdijshëm për skemën kriminale përmes votave me postë, ata refuzuan qëllimisht të kryenin detyrat e tyre. Ata mbyllën sytë përballë këtij krimi. Prokuroria duhet të veprojë me urgjencë dhe të zgjerojë hetimet edhe ndaj anëtarëve të Kryesisë së LDK-së dhe ndaj ekipit të përfshirë në këtë skemë kriminale dhe të sjellë para drejtësisë çdo person të përfshirë në këtë krim”, ka thënë Haxhiu.
Për këtë çështje ka shkruar edhe zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu.
Ai ka thënë se Gjykata Kushtetuese duhet të marrë masë të përkohshme ndaj aktgjykimit të Supremes, derisa kërkoi të hetohen edhe anëtarët e PZAP-së “bashkë me ata të Supremes të cilët në mënyrë të kundërligjshme e kanë legalizuar dhe legjitimuar manipulimin kriminal të votave të udhëhequr nga udhëheqja e LDK-së”.
“Kur e patëm dorëzuar ankesën në PZAP, para mediave pata thënë se manipulimi i votave me postë është skemë kriminale e organizuar nga udhëheqja e LDK-së. Pra, ashtu edhe doli!”, ka thënë Sallahu.
Vetëvendosje e ka dërguar javën e kaluar në Kushtetuese vendimin e Supremes që e rrëzoi ankesën e kësaj partie lidhur me votat me postë.
Sipas VV-së, LDK-ja i manipuluar votat me postë nga diaspora.