Arbëri

Haxhiu: Kurti s’ka refuzuar të dëshmojë, Prokuroria po bën veprime politike

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu

Foto: Alban Bujari

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se kryeministri Albin Kurti asnjëherë nuk ka refuzuar thirrjen e Prokurorisë Speciale për të dëshmuar.

Haxhiu në konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë, ka thënë se Kurti i ka ftuar prokurorët që të vijnë në zyrën e tij që ta japë dëshminë, porse prokuroria s’po duket e interesuar në këtë.

Haxhiu ka thënë se nëse prokuroria i është drejtuar gjykatës me kërkesë duke thënë se Kurti po refuzon të japë dëshmi, atëherë e ka mashtruar gjykatësin dhe është gënjeshtër.

“Sistemi i drejtësisë kurrë s’ka qenë më i lirë nga ndikimi politik, por më duket të them se asnjëherë më politik s’ka qenë. Pavarësisht përpjekjes së tyre për të na dëmtuar, për të na frikësuar, nuk kanë arritur që të na ndalin...Çfarë ka prezantuar prokuroria para gjykatës në mënyrë që ta detyrojë kryeministrin Kurti të japë dëshmi, pasi ai ka vullnet të japë dëshmi...Këto janë veprime komplet politike me qëllime që tashmë dihen dhe i kemi thënë disa herë”, tha Haxhiu.

Prokuroria Speciale e ka ftuar Kurtin që nga dhjetori të dëshmojë për çështjen e rezervave shtetërore. Por kryeministri ka thënë se dëshminë mund ta japë nëse prokurorët i shkojnë në zyrë. Më 19 shkurt, Prokuroria Speciale kërkoi urdhër gjyqësor për paraqitjen e Kurtit në seancë.


Haxhiu: Veprimet e institucioneve të sigurisë s’janë kundër partnerëve ndërkombëtarë

Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se veprimet e institucioneve të sigurisë të Kosovës, përfshirë ato të fundit të mbylljes së qendrave për punë sociale në veri që menaxhohen nga Serbia, nuk janë kundër partnerëve ndërkombëtarë.

“Këto qendra janë mbyllur sepse dyshohet se nëpërmjet tyre është ndërhyrë apo është bërë presion për zgjedhjet e 9 shkurtit. Këto qendra dyshohet se kanë qenë instrument i ndërhyrjes, prandaj ka pasur reagim ligjor dhe institucional”, ka thënë Haxhiu.

Për mbylljen e këtyre qendrave ka pasur reagime nga shtetet e QUINT-it, të cilat kanë thënë se mbyllja e këtyre strukturave ilegale duhet të trajtohet në dialog.


Haxhiu: LVV-ja fituese e qartë e zgjedhjeve, votat e diasporës përcaktuese për formim të qeverisë

Ndërkohë sa i përket zgjedhjeve, Haxhiu ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje është fituese e qartë e zgjedhjeve të 9 shkurtit.

Ajo ka thënë se LVV-ja i ka partnerët e koalicionit. Ajo ka shtuar se votat e diasporës do të jenë përcaktuese.

“Lëvizja Vetëvendosje është fituese e qartë e këtyre zgjedhjeve. Neve na takon obligimi i formimit të institucioneve pas certifikimit të rezultateve. LVV-ja i ka partnerët e koalicionit. Duhet të presim vetëm edhe pak...votat e diasporës janë shumë të rëndësishme dhe besoj që janë përcaktuese që qeveria të formohet dhe drejtohet nga kryeministri Kurti”, ka thënë Haxhiu në konferencë për media.