Sipas letrës së Ministrisë së Drejtësisë, të cilën e ka siguruar KOHA, ka pasur ndërhyrje në procedurat e privatizimit të Grandit, duke ndikuar në vendimin e Tribunalit Ndërkombëtar, i cili ka detyruar Kosovën t’ia kthejë kompanisë “Mabco Constructions” të Behgjet Pacollit afër gjashtë milionë euro dhe shpenzimet e procedurës
Ministria e Drejtësisë, që udhëhiqet nga Albulena Haxhiu, i ka dërguar letër kryeprokurorit Besim Kelmendi, nëpërmjet së cilës është theksuar se rasti i hotel “Grandit” përmban elemente korruptive dhe keqpërdorime të shumta.
Sipas letrës së Ministrisë, të cilën e ka siguruar KOHA, ka pasur ndërhyrje në procedurat e privatizimit, duke ndikuar në vendimin e Tribunalit Ndërkombëtar, i cili ka detyruar Kosovën t’ia kthejë kompanisë “Mabco Constructions” të Behgjet Pacolli afër gjashtë milionë euro dhe shpenzimet e procedurës.
Në letër drejtuar kryeprokurorit Kelmendi, Ministria e Drejtësisë ka bërë të ditur se ka analizuar aktgjykimin dhe ka identifikuar dyshime për shkelje ligjore. Për këtë arsye, Ministria i ka dorëzuar prokurorisë vendimin e Tribunalit, duke kërkuar trajtim të mëtejshëm të rastit.
Ministria ka shprehur gatishmërinë për të ndarë të gjithë dokumentacionin dhe procesverbalet relevante, të cilat sipas informacioneve të saj, janë kyçe për zbardhjen e kësaj “skeme të dyshuar kriminale”.
Në fillim të këtij viti, Qendra Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Kontesteve Investimore vendosi që deputetit Behgjet Pacolli t’i kthehen mjetet që kishte dhënë për blerjen e 40 për qind të aksioneve në hotelin “Grand”, në vitin 2006 kur u privatizua. Pacolli, në maj të vitit 2017, në arbitrazh kërkoi që t’i kthehen mjetet që i kishte dhënë për blerjen e aksioneve të “Grandit”.
Atëkohë, ministrja Haxhiu, duke komentuar vendimin e Tribunalit, ka thënë se është vërtetuar që hoteli mbetet në pronësi publike, por nuk kishte hedhur akuza për keqpërdorime.
Hoteli “Grand” u ndërtua në vitin 1978. Deri në luftë ishte pronë-shoqërore.
Pas luftës, menaxhimi i tij i kaloi Agjencisë së Kosovës për Mirëbesim deri në vitin 2006, kur u privatizua.
Garën për Grandin e fitoi kompania Unio Commerce, në pronësi të Zelqif Berishës, e cila ka ofruar 8.1 milionë euro. Pas shpalljes së fituesit, doli se ai nuk ishte i vetëm, gjë që çoi në përplasjet mbi pronësinë dhe aksionet. Nuk munguan as akuzat për ryshfet e zhvatje ku përfshihen biznesmenë e politikanë me ndikim.
Zelqif Berisha u bë zyrtarisht pronar i hotelit “Grand” më 13 tetor 2006, kur të gjitha aksionet i kaluan kompanisë Unio Commerce. Në marrëveshjen që kishin lidhur me Agjencinë Kosovare të Mirëbesimit, investitori obligohej që brenda 6 muajsh të punësonte 270 punëtorë, e kur të bëhet 1 vit nga nënshkrimi, 570 punësime. Gjithashtu kontrata obligonte Unio Commerce-in për investimin e 20 milionë e 200 mijë eurove brenda 2 vjetësh.
Por, përtej dokumenteve e shitjes zyrtare, për “Grandin” dolën edhe dy persona që pretendonin pronësi ose aksione mbi të.
Sipas shkresave të lëndës në Qendrën Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Kontesteve Investimore dhe dëshmive që kanë dhënë palët për këtë çështje në marrëveshje me Berishën u përfshinë edhe biznesmenët Behgjet Pacolli dhe Remzi Ejupi.
Pacolli, në arbitrazh ka deklaruar se Berisha nuk i ka pasur mjetet e nevojshme, të cilat i ka ofertuar për blerjen e “Grandit”. Në pamundësi që ta përballojë investimin, nëpërmjet personave të tjerë, Berisha, sipas Pacollit, ka kërkuar që ai dhe Ejupi, jo zyrtarisht të përfshihen në blerjen e hotelit.
Pacolli pretendon se ka paguar rreth 4 milionë euro për 40 për qind të aksioneve në “Grand”. Por në arbitrazh, zyrtarë të AKM-së, që më pas u quajt AKP, kanë deklaruar se nuk janë njoftuar për marrëveshjen mes biznesmenëve.