Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka insistuar se ajo e ministrat e tjerë të Qeverisë kanë respektuar procedurat ligjore sa i përket marrjes së postit të deputetit. Derisa ka lexuar një letër dorëheqjeje, ka theksuar se atë ia ka dërguar kryeministrit në detyrë e ky kryetarit të Kuvendit. Sipas saj, një letër të tillë ia kanë dërguar të gjithë ministrat e tjerë në detyrë të martën para fillimit të seancës konstituive.
Haxhiu ka shtuar se para certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve, e kanë njoftuar kryesuesin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve “që ne e pranojmë mandatin e deputetit” dhe se kjo nënkupton se kanë hequr dorë nga ai si ministër/re.
“Kjo ka ndodhur para certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve. E dyta, para betimit, është dorëheqja që e kemi bërë sot para seancës konstituive. Pra e kemi njoftuar kryeministrin Kurti dhe Kurti ka njoftuar kryetarin Konjufca. Obligimet që ne i kemi pasur i kemi adresuar sipas ligjit dhe Kushtetutës”, ka thënë ajo në Interaktiv.
“Unë jam ministre në detyrë, nuk kam pasur mundësinë ta bëjë betimin sot sepse e kanë penguar deputetët e opozitës”.
Haxhiu ka potencuar se opozita ka pasur tendencë që ta pengojë konstituimin e Kuvendit të Kosovës, dhe se ajo “shpreson që përmes vonesave të tilla mund të kenë ndonjë deputet më shumë, mund të bashkohen”.
Ndërsa, ka përmendur raste kur qeveri në të kaluarën kanë funksionuar në detyrë deri në konstituim të institucioneve të reja, ka përmendur edhe atë të ish-kryeministri Avdullah Hoti.
“Gjykata Kushtetuese te rasti i Avdullah Hotit, që është kontestuar zgjedhja e Qeverisë Hoti për shkak të një deputeti. Gjykata ka kontestuar se ajo qeveri është zgjedhur në kundërshtim me Kushtetutën. E kemi një aktgjykim që qeveria Hoti është zgjedhë në mënyrë kushtetuese por pavarësisht kësaj për shkak të sigurisë juridike, vendimet e qeverisë mbeten në fuqi dhe qeveria mbetet në detyrë në zgjedhjen e qeverisë së re. Nëse për Qeverinë e Avdullah Hotit gjykata paska thënë duhet në detyrë, si ka mundësi tani...”
Haxhiu ka përmendur edhe Listën Serbe si subjekt të certifikuar në zgjedhjet e fundit, duke quajtur gabim certifikimin e saj.
Deputetët e legjislaturës së nëntë të martën nuk përkrahën raportin e Komisionit të Përkohshëm për Verifikimin e Kuorumit dhe Mandateve. Sipas partive që deri tash ishin në opozitë, kërkesë është që anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje duhet të japin dorëheqje nga postet qeveritare para se të bëhen deputetë. Kjo është kundërshtuar nga VV-ja që ka thënë se anëtarët e saj tashmë janë dorëhequr.
Haxhiu: S’kemi koalicion me Nismën
Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje nuk ka koalicion me Nismën Socialdemokrate e as nuk ka pasur diskutime.
Të martën në “Interaktiv” të KTV-së, Haxhiu ka thënë se secili veprim i ndërmarrë nga partia ka qenë publik dhe nuk ka asnjë marrëveshje të shkruar apo të pashkruar me Nismën.
Ajo tutje është shprehur optimiste që Qeveria do të formohet, ndonëse nuk tregoi se si.
“Nuk kemi koalicion me NISMËN. As të shkruar e as të pashkruar sepse çfarëdo veprimi që e kemi ndërmarrë gjatë kësaj kohe ka qenë publik. Çfarëdo takimi që ka pasur z.Kurti e ka bërë publik. Nuk ka pasur takime, nuk ka koalicion, nuk kam informacione që takimi ka ndodhur dhe unë i besoj kryeministrit. Nuk ka marrëveshje as të shkruar e as të pashkruar. Jemi në diskutime, në konsultime dhe jemi optimistë që Qeveria do të bëhet”, ka thënë ajo.
Haxhiu ka deklaruar se ende nuk është vendosur se kush në çfarë pozicioni do të jetë.
“Ende nuk kemi vendosur se kush ku do të jetë. Çfarëdo pozicioni që do të më ndahet, e kam vullnetin kudo që do të përcaktohem”, ka shtuar ajo.