Arbëri

Haxhimustafa nga IPK-ja: Kemi rritje të ankesave, qytetarët po na besojnë më shumë

Drejtori i Hetimeve në Inspektoratin e Policisë së Kosovës (IPK), Bardhyl Haxhimustafa

Drejtori i Hetimeve në Inspektoratin e Policisë së Kosovës (IPK), Bardhyl Haxhimustafa, ka deklaruar se gjatë vitit 2024 ka pasur rritje të numrit të ankesave ndaj zyrtarëve policorë. Sipas tij, kjo reflekton një besim më të madh të qytetarëve tek IPK-ja.

“Gjatë vitit 2024, kemi proceduar gjithsej 2.046 ankesa, nga të cilat 34% kanë pasur elemente të veprës penale, ndërsa 66% janë proceduar për hetim disiplinor”, ka thënë Haxhimustafa në “60 Minuta” të KTV-së.

Sipas tij, veprat penale që hasen më së shpeshti nga zyrtarët policorë janë “keqpërdorimi i detyrës zyrtare”, “keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës”, “kanosja”, “lëndimi i lehtë trupor” dhe “lëndimi i rëndë trupor”. Megjithatë, ai theksoi se ka një tendencë të uljes së veprave më të rënda, si “keqpërdorimi i detyrës” nga policët.

“Policët janë në detyrë 24 orë dhe kur hasin në një kundërvajtje apo zhvillim të një vepre penale, ata janë të detyruar të marrin masa dhe të informojnë njësitet relevante”, shtoi ai.

Një nga rastet kur IPK-ja ka marrë vendim për ndërprerje të marrëdhënies së punës është ai i njohur si “Pika I”, ku janë të përfshirë rreth 40 policë. Nga ta, siç ka thënë Haxhimustafa, për 34 policë është marrë vendim për ndërprerje të marrëdhënies së punës.

Ndërkaq, në Mitrovicën e Veriut, gjatë një aksioni të zhvilluar dy ditë më parë, u arrestua një polic i nacionalitetit serb, i cili dyshohet se ka qenë i përfshirë për më shumë se një vit në veprimtari kriminale të shitblerjes së armëve. Sipas IPK-së, ai ka bashkëpunuar me persona të tjerë të nacionalitetit shqiptar që jetojnë në të dy anët e qytetit të Mitrovicës.