Arbëri

Havolli: Puna e avokatëve është ngulfatur

Oda e Avokatëve të Kosovës sot ka hyrë në bojkot të përgjithshëm, për të gjitha gjykatat, prokuroritë dhe policinë në tërë territorin e Kosovës, kjo deri në tërheqjen e urdhëresës dhe rekomandimit nga KGJK, me të cilën avokatëve u pengohet lëvizja, puna në objektet e gjykatave , tha kryetar i OAK-së, Osman Havolli.

OAK kundërshton ndalimin lëvizjes së avokatëve në objektet e gjykatave, avokatët nuk kanë mundë të shtyjnë më shumë këtë gjendje, pasi puna e tyre është ngulfatur dhe janë shkel parimet e qasjes në sistemin e drejtësisë, i tha ai RTK-së.

“Këshilli Drejtues i OAK më datë 05.01.2019 në mënyrë unanime ka vlerësuar që Urdhëresa e Gjykatës Themelore në Prizren e datës 08.08.2018 dhe rekomandimi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK) të datës 27.12.2018 paraqesin shkelje themelore të parimit të qasjes në drejtësi dhe si të tilla janë të papranueshme”, tha Havolli.

Ai sqaroi se Këshilli Drejtues ka kërkuar që Urdhëresa dhe Rekomandimi, në bazë të së cilës u ndalohet lëvizja e avokatëve në objektin e Gjykatave të tërhiqen më së voni deri më 8 janar, (dje). Pasi që KGJK deri më tani nuk ka bërë tërheqjen e këtij vendimi, OAK ka vendosur për bojkot të përgjithshëm.

Havolli thotë se, OAK kundërshton ashpër rekomandimin e KGJK-së në bazë të cilit kujdestarët dhe personeli i sigurimit në objektet e gjykatave obligohen që të mos lejon avokatët të hynë brenda, sepse përndryshe ndaj tyre do të merren masa.

Kjo urdhëresë, sipas tij, ishte si hakmarrje, ndaj një sjellje të dy avokatëve në Prizren, e sjellja e të cilëve është dënuar edhe nga vet OAK.

Ndaj urdhëresës e cila u mor fillimisht në Prizren e më vonë u fuqizua në tërë Kosovën, kanë reaguar së pari avokatet e Prizrenit e më pas edhe OAK. Kjo urdhëresë e ngulfattë punën e avokatëve dhe është e papranueshme.

Profesioni i avokatëve, shton Havolli, është përbuzur edhe më parë me disa urdhëresa të tjera, e njëra ndër to është edhe ajo që në byftë e objekteve të gjykatës, avokatëve u ndalohet hyrja në byftë ku janë gjyqtarët dhe prokurorët.

Havolli thotë se, nuk ka baza ligjore për urdhëresa të tilla, “ne jemi për rend e rregull, por jo për urdhëresa të tilla diskriminuese”.

Ai shtonë se derisa urdhëresa nuk do të hiqet mbrojtësit nuk do të paraqiten as në gjykata as në polici e hetuesi, “ne kemi kërkuar që mos të mbahen seanca gjyqësorë gjatë kësaj kohe”.

“Avokat duhet të kenë qasje të lirë në objektet e Gjykatës, ata duhet ta lejojnë lëvizjen e lirë në objekt, aty janë edhe zyrat e avokatëve, çështja e avokatëve është banalizua me kontrolle të rrepta, sepse edhe ashtu avokatët lajmërohen te kujdestarët kur hynë në gjykata”, tha Havolli.

Sipas tij, kjo nuk është një imazh i mirë për drejtësinë në Kosovë.