Kryetari i Shoqatës së Psikologëve të Kosovës, Ilir Havolli, derisa ka folur për Kongresin Ndërkombëtar të Shëndetit Mendor, ka thënë se në Kosovë nuk ka qendër të institucionalizuar që do ta trajtonte stresin post-traumatik.
Të enjten në “60 Minuta” të KTV-së, Havolli thënë se kjo prek çdo pjesë të shoqërisë.
“Edhe pse në të dy vendet shqipfolëse është rritur vetëdijesimi i institucioneve për inkorporimin e psikologëve dhe për trajtimin e stresit post-traumatik. Por, kur flasim për stresin post-traumatik, në Kosovë nuk ka një qendër të institucionalizuar që do ta trajtonte stresin post-traumatik. Kjo prek çdo pjesë të shoqërisë sonë, prej atyre që e kanë përjetuar luftën e fundit në Kosovë, ata që janë të prekur nga aksidente familjare, ata që përjetojnë dhunë familjare. Këta individë nuk kanë një qendër të institucionalizuar për trajtimin e stresit post-traumatik”, ka thënë ai.
Havolli ka shtuar se ka mungesë të psikologëve nëpër institucionet publike. Sipas tij, janë vetëm tri komuna në QKMF-të e të cilave ka psikologë.
“Jemi dëshmitarë kohëve të fundit për situatat që po ndodhin në Kosovë. Është rritur numri i vetëvrasjeve, i vrasjeve, i akteve të dhunës, i thyerjes së rregullave sociale. Ka humbur kontrolli ynë si profesionistë të shëndetit mendor mbi popullatën. Mungesa e psikologëve nëpër institucione publike ua pamundëson qasjen ndaj këtij shërbimi të shëndetit mendor. Psikologë ka Kosova mjaft. Janë vetëm tri komuna në Kosovë që brenda QKMF-ve kanë psikologë”, ka deklaruar ai.