Profesori i së drejtës dhe marrëdhënieve ndërkombëtare, Enver Hasani, pret që presidenti i ri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, të ketë qasje më burokratike në Ballkan.
Në një intervistë në “Interaktiv” të mërkurën, Hasani ka thënë se administrata Trump do të fokusohet më shumë që të lidhen marrëveshje ekonomike nga shtetet e Ballkanit.
“Ballkani për aq sa është pjesë e sferës së ndikimit të Perëndimit, nuk paraqet rrezik. Kosova, Serbia, Republika Srpska – pjesa tjetër janë të interesuar me u integru në ekonominë globale. Edhe në Marrëveshje e Uashingtonit është qasja ekonomike, pra burokratike. Nëse doni me marrë historikisht, Ballkani s’ka prodhuar gjeopolitikë të caktuar. Fuqitë e mëdha kanë ndikuar Ballkanin, jo anasjelltas”, ka thënë Hasani.
Për arsye ekonomike, sipas Hasanit, Trumpi do të përpiqet të ndalojë luftërat edhe në Ukrainë e Lindjen e Mesme.
“Ai synon që të dërgojë kompanitë amerikane të rindërtojnë në Ukrainë e Lindje të Mesme”, ka shtuar profesori.
Sipas Hasanit, Kosova dhe Ballkani janë çështje periferike në politikën e jashtme të SHBA-së.
Por se a do të ketë ndikim zgjedhja e Trumpit në zgjedhjet në Kosovë, Hasani vlerësoi se është shumë vështirë për t’u parashikuar.
“Por mendoj se tash Qeveria jonë ka qeverisur për katër vjet dhe besoj se qytetarët do të votojnë për këtë”, ka deklaruar Hasani.