Arbëri

Hasani tregon rrugën kushtetuese për bllokimin e Asociacionit

Qeveria nuk do të mund ta parandalojë formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, nëpërmjet ndryshimeve ligjore. Ish-kreu i Kushtetueses, Enver Hasani, thotë se marrëveshjet ndërkombëtare si ajo për Asociacionin, kanë fuqi juridike më të madhe se ligji. Ai ka treguar një mënyrë tjetër se si mund të parandalohet zbatimi i dispozitave jokushtetuese të kësaj marrëveshjeje

Ministria e Pushtetit Lokal nuk do të mund ta zbatojë planin që, nëpërmjet ndryshimeve ligjore, ta stopojë mundësinë për formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, thotë se marrëveshjet ndërkombëtare, sikur është ajo për formimin e Asociacionit, kanë fuqi juridike më të madhe se ligji.

“Marrëveshja e 2013-s nuk mund të shfuqizohet, sepse me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, çdo marrëveshje që ratifikohet dhe publikohet në Gazetën Zyrtare, ka fuqi më të madhe se çdo ligj në Kosovë”, thotë Hasani. “Që do të thotë: çdo ligj që ekziston dhe bie ndesh me marrëveshjen ndërkombëtare, që është ratifikuar nga Kuvendi i Kosovës, anulohet, do të thotë mbizotëron marrëveshja, dhe asnjë ligj në të ardhmen nuk mund të nxirret që e anulon marrëveshjen. Marrëveshja ndërkombëtare mund të anulohet vetëm sipas procedurës në të cilën është lidhur”.

KOHA raportoi një ditë më parë se, nëpërmjet ndryshimeve në Ligjin për vetëqeverisje lokale, Ministria e Pushtetit Lokal synon të bllokojë formimin e entiteteve njëetnike.

“Për neve, Asociacioni i Komunave Serbe, ose asociacioni njëetnik me kompetenca ekzekutive, është entitet i vdekur”, ka thënë Fidan Kalaja, këshilltar i ministrit Elbert Krasniqi. “Ne nuk angazhohemi që të kemi asociacione njëetnike, por vetëm entitete të cilat janë në përputhje me Kushtetutën dhe kornizën ligjore të Republikës së Kosovës”.

Ka dy marrëveshje që Kosova i ka firmosur në Bruksel rreth Asociacionit të komunave me shumicë serbe. E para flet në terma të përgjithshëm dhe është ratifikuar në Kuvend, ndërsa e dyta është e detajuar, por nuk është ratifikuar dhe është shpallur jokushtetuese nga Gjykata Kushtetuese. Megjithëkëtë, Gjykata ka thënë se Asociacioni duhet formuar sipas marrëveshjes së parë.

Enver Hasani ka treguar një mënyrë tjetër se si mund të parandalohet zbatimi i dispozitave jokushtetuese të marrëveshjes së parë. Në interpretimin e tij, në Gjykatën Kushtetuese mund të kontestohen aktet themeltare për formimin e Asociacionit, e që derivojnë nga marrëveshja.

“Në qoftë se duhet të nxirret një ligj ose akt tjetër implementues për zbatim të marrëveshjes dhe ajo bie ndesh me Kushtetutën, mund të sfidohet në gjykatë Kushtetuese dhe Gjykata Kushtetuese në një rast të tillë mund ta anulojë ligjin e tillë ose aktin tjetër implementues të marrëveshjes ndërkombëtare, por jo marrëveshjen”, ka thënë Hasani.

Lëvizja Vetëvendosje, që tash është në pushtet, ka gati një dekadë që aktivisht ka kundërshtuar veprimet në funksion të themelimit të Asociacionit. Ndërkaq ndërkombëtarët kanë përsëritur kërkesën për zbatim të marrëveshjes për këtë mekanizëm të komunave me shumicë serbe.