Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani e ka quajtur populiste dhe tërësisht jorelevante paraqitjen e parë të avokatit të ish-presidentit, Hashim Thaçi, në Dhomat e Specializuara, David Hooper. Mes tjerash avokati britanik, ka cituar një libër të ish-senatorit amerikan Bob Dole, për ta arsyetuar rolin e Thaçit në luftë, si dhe deklaratën e ish-zëvendës/presidentit amerikan, Joe Biden që kishte thënë se, “Thaçi është George Washingtoni i Kosovës”.
“Mendoj se paraqitja e parë e avokatit të zotërit Thaçi ka qenë një paraqitje populiste dhe tërësisht irelevante për procesin. Nuk mendoj se avokati i zotërit Thaçi e ka marrë seriozisht aktakuzën kundër klientit të tij. Ko është një betejë juridike dhe klienti duhet të mbrohet me argumente juridike, pa asnjë konotacion politik”, ka thënë Hasani për “Koha.net”.
Sipas tij, avokatët e këtyre që sot janë në Hagë duhet të fokusojnë tërë energjinë për të dëshmuar mungesën e qëllimit të përbashkët kriminal, “për çka akuzohen, i cili qëllim përbën figurën e veprave penale të krimit të luftës dhe krimit kundër njerëzimit”.
“Këtë dëshmi mund ta bëjnë vetëm me argumente juridike, duke dëshmuar se nuk ka pasur një qëllim të tillë kur të akuzuarit kanë qenë anëtarë të LPK-s nën ish-Jugosllavi dhe pas nisjes së konfliktit të armatosur në mars të vitit 1998. Çdo rrugë tjetër që ndiqet është gabim trashanik juridik dhe mund t’u kushtojë të akuzuarve me dënim”, ka potencuar Hasani, profesor i së drejtës ndërkombëtare në Fakultetin Juridik, në Universitetin e Prishtinës, “Hasan Prishtina”.
Ai ka komentuar edhe vrasjet e pretenduara të “katolikëve” që u përmenden në komunikatën e Gjykatës Speciale. Hasani vlerëson se, kjo çështje pa nevojë po bëhet e madhe, ngase ajo që paraqitet si akuzë për vrasje të katolikëve, siç ka thënë ai, nuk është pjesë e aktakuzës.
“Kjo nuk i ndihmon ata që janë në Hagë aspak sepse një e dhënë e tillë për vrasje të katolikëve është pjesë e Komunikatës për Shtyp të Gjykatës Speciale, dhe nuk gjendet në aktakuzë. Në rastin më të keq, ajo mund të jetë deklaratë e ndonjë dëshmitari të censuruar nga ana e Prokurorisë dhe nuk mund të merret si kualifikim penalo-juridik i dispozitivit të aktakuzës”, ka theksuar Hasani.
Ish-drejtori politik i UÇK-s, Hashim Thaçi e ish-zëdhënësi, Jakup Krasniqi të hënën kanë pasur paraqitjen e para gjyqtarit të procedurës paraprake.
Aktakuza kundër Hashim Thaçit dhe të tjerëve u konfirmua më 26 tetor të këtij viti. Ai u arrestua nga Zyra e Prokurorit të Specializuar më 5 nëntor të njëjtën ditë, u transferua në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.
Aktakuza e ngarkon Hashim Thaçit dhe të tjerët me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, sipas të drejtës ndërkombëtare.