Arbëri

Hasani: Gërvalla s’po i bën nder Kosovës, BE-ja po e injoron atë

Enver Hasani

Deklarimet e ministres të Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, se Bashkimi Evropian pa Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe pa NATO-n është tigër prej letre, kanë nxitur reagime vendore dhe të zyrtarëve ndërkombëtarë.

Profesori i së drejtës ndërkombëtare, Enver Hasani, ka kritikuar qëndrimin e Gërvallës që e dha gjatë fjalimit të saj në panelin “Ballkani Perëndimor: Një momentum i ri euro-atlantik”, i organizuar në kuadër të Forumit të Dubrovnikut, bashkë me emisarin amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe atë evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak. Sipas tij, deklarimet e kryediplomates dëmtojnë Kosovën dhe pozicionin e saj drejt rrugës evropiane.

KOHA: Si i cilësoni deklarimet e ministres Donika Gërvalla për Bashkimin Evropian?

Hasani: Janë deklarata që asnjëherë një ministër i Jashtëm nuk guxon t'i bëjë, ose, së paku, nuk do të duhej t'i bënte, nëse ka një fije ndjenje të përgjegjësisë për dinjitetin e postit që mban.

KOHA: Sa mund t’i rrezikojë raportet ky deklarim mes Kosovës dhe BE-së?

Hasani: Shumë, sepse më BE nuk do t'i marrë seriozisht deklarimet dhe çdo gjë tjetër që vjen nga zyra e zonjës Gërvalla.

KOHA: Sa i qëndrueshëm është ky konstatim i Gërvallës për BE-në?

Hasani: Aspak! Historia e arkitekturës së sigurisë dhe e mbrojtjes evropiane ka treguar dhe tregon se ajo ka qenë dhe është e mbështetur në shtylla të sigurta. Idetë për një sistem të veçantë të mbrojtjes evropiane kanë qenë prezente aty-këtu gjatë Luftës së Ftohtë dhe menjëherë pas saj, kurse më pastaj janë neglizhuar. Ky neglizhim ka ardhur si pasojë e faktit që, në ndërkohë që rreziqet e sigurisë janë të diversifikuara për dy anët e Atlantikut, rreziqet e mbrojtjes euroatlantike kanë një origjinë dhe natyrë të njëjtë. Kjo është dëshmuar në të gjitha konfliktet ushtarake, me fillim nga viti 1991, e deri te Lufta e Kosovës, për t'u rikonfirmuar sërish në problemet e mbrojtjes që lindën në vijim të menaxhimit të Pranverës Arabe (konflikti në Siri më së miri ka dëshmuar këtë, por edhe luftimi i formacioneve paramilitare të Islamit radikal në Afrikë).

Së fundi, agresioni rus ndaj Ukrainës katërçipërisht provoi të kundërtën e asaj që thotë zonja Gërvalla dhe atë në dy drejtime: së pari, objekt i mbrojtjes në Ukrainë nuk ishte dhe nuk është sovraniteti i viktimës, Ukrainës, por i civilizimit euroatlantik, dhe atë ndaj rritjes së Kinës imperialiste dhe autokratike që synon përmbysjen e rendit ndërkombëtar, që bazohet në norma e parime dhe që mirëmbahet nga strukturat politike dhe ushtarake euroatlantike; së dyti, agresioni rus në Ukrainë ka treguar se Rusia nuk ka fuqi për projektim të forcës ushtarake askund, as në fqinjësinë e afërt të saj, që nënkupton se, çdonjëri prej anëtarëve evropian të Këshillit të Sigurimit mund të mundë ushtarakisht ushtrinë ruse. Deri në agresionin e Ukrainës, Rusia ka qenë i vetmi rrezik serioz ushtarak në Evropë. Ai më nuk ekziston, jo për shkak të SHBA-së, por për faktin e thjeshtë që, për të mundur Rusinë ushtarakisht, mjafton vetëm Britania e Madhe ose vetëm Franca. NATO-ja dhe SHBA-ja kanë kuptim dhe objekt mbrojtjeje vetëm Kinën, e cila duhet frenuar në çdo kohë dhe në çdo cep të sferës euroatlantike të sigurisë dhe mbrojtjes.

KOHA: A mendoni se ministrja duhet të shkarkohet nga Kurti ose të japë dorëheqje?

Hasani: Prezenca e saj aty nuk i bën nder Kosovës, Presidencës, Qeverisë, por as subjekteve politike me të cilat identifikohet ajo. Kemi pasur përfaqësime mjaft të turpshme të Kosovës në të kaluarën! Duke ditur që ata ishin copë injorantësh dhe të paarsimuar, një gjë e tillë përpihej disi! Sjelljet e zonjës Gërvalla, ndërkaq, të një personi me arsim të mirë dhe edukatë elitare janë përtej mashallahi, siç e thotë populli ynë!

KOHA: A prisni reagim nga BE-ja për këto deklarime?

Hasani: Jo, nuk pres! Kjo për faktin se qartë vërehet se BE-ja po i injoron paraqitjet e zonjës Gërvalla dhe institucionit që ajo drejton.