Adelina Hasani, hulumtuese në Qendrën Kosovare për Studime të Sigurisë, ka thënë se alarmi që ngrihet për sulme të reja në Kosovë, është i rëndësishëm për ta rritur vigjilencën.
Sipas saj, kjo si mundësi është me rëndësi që të ngrihet dhe diskutohet me qytetarët, ashtu që ata të përgatiten.
“Thirrja se mund të ketë sulme të reja është e rëndësishme të potencohet dhe të ketë transparencë dhe të diskutohet më qytetarët, jo që të krijohet panik, por që të përgatiten. Një narrativë të tillë e shohim në Suedi dhe Finlandë, i përgatisin qytetarët e vetë për një luftë potenciale që mund të ndodhë”, ka thënë Hasani në “Konfront”.
Pula: Serbët në veri janë marrë peng nga Lista Serbe
Njohësi i çështjeve politike, Shqiprim Pula, ka deklaruar se serbët në veri janë marrë peng nga Lista Serbe, për shkak se ata nuk janë të lirshëm të zgjedhin lëvizje të tjera politike.
Sipas tij, Lista Serbe që nga 2014-ta ka pasur mundësi që të punësojë e të largojë prej pune këdo që ka dëshiruar dhe të rrahë e shantazhojë njerëzit, gjë që ka bërë që serbët në veri të jenë të dëgjueshëm për shkak të frikës.
“Ky formacion (Lista Serbe) ka pasur mundësi të punësojë e të largojë prej pune, të rrahë e të shantazhojë njerëz pa fund. Frika e njerëzve të zakonshëm i ka bërë edhe të dëgjueshëm karshi këtij formacioni sepse nuk ka pasur alternativë tjetër politike. Politikisht (serbët në veri) kanë qenë të ndrydhur sepse është krijuar një lloj getoizimi për ta nga ky formacion. Në momentin kur brenda pakicës serbe nuk ka një mundësi të veprimit politik të lirshëm dhe me mundësi të zgjedhjes, ku qëndron demokracia aty? Nëse i marrim pakicat tjera në Kosovë, kanë nga dy apo tre organizime politike. Ka një lloj demokracie pavarësisht se sa janë në numër, ndërsa nga pakica serbe që nga 2014-ta ata janë marrë peng nga ky formacion sepse u kanë pamundësuar që ata të jenë të lirshëm të zgjedhin të tjera lëvizje politike”, ka thënë ai.
Krasniqi: KQZ-ja ia shkaktoi një autogol Kosovës
Gazetari Besnik Krasniqi ka thënë se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve me vendimin për të mos lejuar Listën Serbe të certifikohet në zgjedhjet e 9 shkurtit, i ka shkaktuar autogol Kosovës.
Të mërkurën në “Konfront” të KTV-së, Krasniqi ka thënë se KQZ-ja duhet të veprojë me argumente juridike dhe të jetë neutrale me palët.
“Vendimi i PZAP-së e përmban edhe dispozitën që thotë palët mund t’i drejtohen supremes brenda dy ditësh dhe këtë e ka paralajmëruar KQZ-ja se do ta bëjë. Vetë kryetari i KQZ-së nuk ka qenë i pajtimit me vendimin që është marrë, me njoftimin. Besoj se KQZ-ja me atë çfarë bëri me Listën Serbe ia shkaktoi një autogol Kosovës. KQZ-ja duhet të operojë me argumente juridike. Cili është institucioni në Kosovë që e shpall një organizatë politike, ushtarake, apo çfarëdo natyre tjetër, antikushtetuese ose terroriste apo tjetër, në mënyrë që t’i japë argument KQZ-së që të thotë se kjo parti nuk mund të certifikohet meqë ky institucion po e cilëson kështu. Problemi është që KQZ-ja nuk e ka atë kompetencë t’i thotë një partie politike që ka bërë deklarata të caktuara dhe për pasojë nuk mund të certifikohet. Çka t’i bëjmë Vetëvendosjes, subjektit kryesor politik që e ka Kosova në rast se një prej eksponentëve kryesorë të saj thotë se Kosova është shtet i përkohshëm sepse do të bashkohemi me Shqipërinë? KQZ-ja në këtë rast duhet të jetë neutrale me palët”, ka thënë ai.
Sipas Krasniqit, veprimi i fundit i KQZ-së mund ta rrisë mbështetjen ndaj Listës Serbe.
“Unë mendoj se është autogol për një arsye. Zhvillimet e fundit politike dhe veprimet e Qeverisë në veri mendoj se në masë e kanë tkurrur ndikimin e Listës Serbe te serbët përgjithësisht. Druaj që me këtë vendim tani do të rritet mbështetja në çfarëdo mase, qoftë se edhe 5 për qind t’ia rrisim mbështetjen Listës Serbe me këtë veprim”, është shprehur ai.
Pula: Lista Serbe, formacion politik e ushtarak që ka punuar kundër Kosovës
Shqiprim Pula, njohës i çështjeve politike, ka thënë se Lista Serbe është formacion politik, por edhe ushtarak, marrë parasysh aktivitetet e veta kundër shtetit të Kosovës.
Ai ka shtuar se ajo nuk e ka pranuar asnjëherë kushtetutshmërinë e Kosovës dhe ka bojkotuar shumë procese politike të shtetit.
“Shikuar në historikun e angazhimit politik e ushtarak të formacionit Lista Serbe që në pajtueshmëri me drejtuesit politikë shqiptarë të kohës gjatë vitit 2013 ata u konsoliduan si formacion politik në emër dhe për qëllim të mbrojtjes së interesave serbe dhe u futën në garë më 2014. Që nga atëherë formacioni politik Lista Serbe, por edhe ushtarak, sepse e dimë nënkryetari ishte komandant i formacionit paraushtarak serb që rendin kushtetues dhe integritetin territorial e cenoi më 24 shtator në Banjskë”, ka thënë ai në “Konfront”.