Arbëri

Hasaj: Subvencionimi i energjisë, kërkesë e mirëkuptueshme

Blendi Hasaj

Blendi Hasaj, drejtor ekzekutiv i Institutit GAP, ka thënë se nuk ka zgjidhje tjetër adekuate pos që Qeveria ta subvencionojë koston shtesë që mund të krijohet nga rritja e çmimit të energjisë sivjet.

Ai ka thënë se subvencionimi do të ishte kërkesë e mirëkuptueshme për shkak të rritjes së theksuar të kostos së jetesës në vjetët e fundit.

Në një shkrim në Facebook, Hasaj ka thënë se qeveria ka motiv ta subvencionojë koston shtesë sepse edhe vetë ka gisht në mosndërtimin e kapaciteteve të mjaftueshme për gjenerim në vend si dhe nuk ka investuar në efiçiencë.

Sipas tij, arsye tjetër përse mund të bëeht subvencionimi është se shtrenjtimi do të prekë të gjithë ekonominë. “E Qeverisë i duhet të ketë stabilitet si në treg, në shoqëri, etj”, ka thënë ai.

Tjetër arsye sipas tij është se deri tash Qeveria ka “shpërndarë para pa dhimtë dhe me efekt shumë më të izoluar sesa do të kishte ky subvencionim”.

E si arsye përse Qeveria mund të mos jetë e motivuar për të subvencionuar faturat më të shtrenjtuara, sipas Hasajt, mund të jetë krijimi i pritjeve te qytetarët dhe bizneset se kjo do të ndodhë edhe në të ardhmen e qytetarët nuk do ta kursejnë energjinë.

“Besoj që një prej argumenteve kryesore lidhet veçmas me pikën 2., meqë e kemi pa që një grup i bizneseve qëllimshëm e reflektojnë jo-proporcionalisht rritjen e çmimit të rrymës tek çmimet e produkteve të tyre. Rritu çmimi i rrymës 8%, rriti ata çmimet e tyre për 20-30%. Gjë që mund të ndikoj që përsëri të marr hov inflacioni, që aktualisht është disi nën kontroll, siç po ndodhë në disa shtete të rajonit. E përderisa Qeveria jonë nuk i ka kry punët e saja mirë e me kohë, duke e shkru apo ri-shkru mirë një ligj që ia mundëson shtetit të mos lejoj çrregullime të tilla të çmimeve në treg në kohë jo stabile, asaj i është reduktuar edhe numri i instrumenteve përmes të cilave mund të reagojë”, ka përfunduar ai.

Zyra e Rregullatorit për Energji njoftoi ditë më parë se ka propozuar shtrenjtim të tarifave për energji elektrike prej rreth 15 për qind. Propozimi ka nxitur reagime. Në rrjete sociale tashmë ka nisur fushatë për të kundërshtuar propozimin.

Vitin e shkuar, ZRRE-ja pati ulur për 3 për qind çmimin e tarifave të energjisë për konsumatorë komercialë dhe ata industrialë.

E në vitin 2023, tarifat u rritën për 15 për qind për të gjitha kategoritë e konsumatorëve dhe ato janë ende në fuqi.