Komuna e Pejës ende gjendet në procesin e hartimit të Hartës Zonale të nisur para gati dy vitesh. Ky dokument, që specifikon vijat ndërtimore, rrugët, etazhitetin dhe gjitha tjerat që ndërlidhen me ndërtimin, pasohet nga Plani Zhvillimor Komunal 2020-2028, i miratuar në fund të vitit 2019.
Draft-dokumenti i plotësuar i Hartës Zonale është dorëzuar nga Drejtoria e Urbanizmit në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI) për marrjen e pëlqimit të parë. Takimet publike për këtë dokument janë mbajtur sivjet në muajt shkurt e mars dhe pas këtyre takimeve draft-dokumenti është plotësuar me kërkesat e qytetarëve dhe i është dërguar ministrisë, e cila ia kishte kthyer komunës me disa vërejtje teknike, por jo përmbajtjesore.
“Draftin, sipas kërkesës që del edhe nga udhëzimi administrativ, e kemi rregulluar dhe dje (enjte) është dorëzuar në MMPHI dhe tash presim pëlqimin e parë apo ndonjë vërejtje që rastësisht mund të dalë nga ministria. Nëse tash e marrim pëlqimin nga ministria, besoj që në nëntor veç del sërish në diskutim publik një mujor dhe pas diskutimit publik, me vërejtjet dhe kërkesat e mundshme shtesë nga qytetarët, duhet të dërgojmë draft-dokumentin sërish në MMPHI për pëlqimin përfundimtar. Kur e marrim pëlqimin përfundimtar nga mistria, duhet të miratohet në Kuvendin Komunal dhe pas miratimit në Kuvend, dokumenti dërgohet në Ministrinë e Pushtetit Lokal për ligjshmëri”, ka treguar, drejtori i Urbanizmit, Rajan Arapi, procesin ku aktualisht gjendet hartimi i këtij dokumenti dhe procedurat tjera që duhet kaluar deri në zbatimin e tij.
Të dyja dokumentet strategjike për zhvillimin e Pejës nisën të hartoheshin në vitin 2017, por, siç tha Arapi, së pari është dashur të kryhet plani zhvillimor e pastaj të vazhdohet me hartën zonale.
Derisa plani zhvillimor ishte miratuar në Kuvendin Komunal në dhjetor të vitit 2019, pak kohë para shfaqjen së pandemisë së koronavirusit, procesin e hartimit të hartës zonale e ka zënë pandemia, e cila, sipas Arapit, ka ndikuar drejtpërdrejt në zvarritjen e përfundimit të saj. Synimi i kësaj Drejtorie ka qenë që sivjet të kryhet harta zonale dhe të miratohet edhe në Kuvendin Komunal, më së voni në seancën e fundit të këtij legjislacioni që është mbajtur të enjten.
“Por pandemia e ka bërë të veten dhe shkaku i saj nuk kemi arrit me realizu planin që kishim, sepse takimet publike që janë mbajt sivjet në shkurt e mars, kanë qenë të planifikuara të mbahen vitin e kaluar, por shkaku i pandemisë, diskutimet publike për hartën zonale u shtynë për një vit, gjë që ka ndikuar edhe në zvarritjen e përfundimit të hartës zonale. Sikur të ishin mbajt takimet vjet, sot harta zonale kishte për të qenë e kryer”, tregoi Arapi arsyen pse procedurat e këtij dokumenti strategjik kanë mbetur të përfundojnë vitin e ardhshëm.
Plani zhvillimor dhe harta zonale përcaktojnë caqet afatgjata të zhvillimit ekonomik për vetëm gjysmën e territorit të Pejës, pasi me këto dy dokumente nuk mbulohet edhe treva e Rugovës me 14 fshatra e saj, e cila përbën gjysmën tjetër të territorit të kësaj komune. Në procesin e hartimit të hartës zonale nuk është përfshirë treva e Rugovës, sikurse që nuk ishte përfshirë as në procesin e hartimit të Planit Zhvillimor Komunal dhe as që janë mbajt takime publike për këto dy dokumente me banorët e 14 fshatrave të Rugovës.
“Ne si komunitet i Rugovës jemi të zhgënjyer dhe ndihemi të diskriminuar e të përjashtuar për shkak se treva jonë ka mbetur jashtë këtyre dy dokumenteve, por edhe jashtë takimeve publike, në të cilat ne si komunitet kemi pas mjaftë kërkesa për t’i shprehur për nevojat që i kemi”, u shpreh përfaqësuesi i trevës së Rugovës, Flamur Rexhbogaj.
Kjo trevë, siç sqaroi drejtori i Urbanizmit, Rajan Arapi, ka mbetur jashtë planit zhvillimor dhe hartës zonale për shkak se ende nuk është miratuar Plani Hapësinor për Parkun Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”, brenda të cilit gjendet Rugova.
“Vija ndërtimore, rrugët, etazhiteti dhe të tjerat që ndërlidhen me ndërtimin, nuk ka pas mundësi të përcaktohen me këtë hartë zonale për atë zonë. Plani Hapësinor i parkut kombëtar është dokumenti i parë që i hapë rrugë zhvillimit të hartës zonale, por edhe planeve tjera detajuese për zonën e Rugovës. Në momentin që ta kemi planin hapësinor, atëherë do të veprojmë dhe do të hartohet një hartë zonale e veçantë për zonën e Rugovës”, ka deklaruar Arapi.
Në dhjetor bëhen nëntë vjet që kur është miratuar Ligji për Parkun Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna” dhe ky ligj ende nuk është kompletuar me dokumentin e Planit Hapësinor, i cili është hartuar si draft dokument në vitet 2013-2014 nga Instituti për Planifikim Hapësinor. Por prej atij viti ky draft dokument me rëndësi jetike për vendbanimet e Rugovës, nuk është miratuar prej asnjërës qeveri, që pastaj ky dokument të dërgohet për miratim në Kuvendin e Kosovës.