Arbëri

Haradinaj vlerëson se vënia e taksës dhe ndërprerja e dialogut ishin të rëndësishme

Foto: Driton Paçarada / Koha

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka vlerësuar se vendosja e taksës ndaj mallrave serbe ishte një punë me rëndësi e cila ishte realizuar në periudhën kur ai drejtonte Qeverinë e Kosovës.

Këto komente Haradinaj i ka bërë gjatë qëndrimit në Gjilan ku mori pjesë në shënimin e 20-vjetorit të themelimit të degës së AAK-së në këtë komunë.

Ish-kryeministri Haradinaj ka deklaruar se njëra ndër storiet e suksesit është edhe ndërprerja e procesit të dialogut me Serbinë meqë në këtë dialog ishin vënë në pikëpyetje kufijtë e Kosovës, raporton KOHA.

“Kemi pasur nderin me udhëheq Qeverinë në periudhën 2017-2020. Gjatë kësaj udhëheqje i kisha veçuar disa punë me rëndësi. E kemi ndal një proces të dialogut të gabuar që ka mundur me rreziku ndarjen e Kosovës. Kemi arrit që të bëjmë Kosovën me ushtrinë e vet në bazë të ligjeve të votuara në Parlament. Ka edhe punë tjera është përmbyllja e pronësisë së Trepçës e deri tek taksa. Më kujtohet njëherë në një diskutim këtu ditë përpara se me u vendos taksa 100 për qind ndaj mallrave serbe dhe të Bosnjës por për shkak të Republikës Serbisë, lajmin e kemi dhënë në Gjilan”, ka thënë Haradinaj.

Kreu i AAK-së tha se stabilizimi i prodhimit të energjisë në Kosovë dhe investimet nëpër komuna është një tjetër sukses të cilin e ka përmbushur derisa ishte kryeministër i vendit.

“Kosova në kohën kur kam marr Qeverinë nuk ka prodhuar energji. Krejt stabilimentet e KEK-ut kanë qenë në pauzë e kemi kthyer prodhimin e energjisë njëkohësisht pavarësimin energjetik të Kosovës që është i rëndësisë së jashtëzakonshme”, përfundoi Haradinaj.