Me shumë gjasë për herë të fundit, Ramush Haradinaj ka marrë rrugën për t’u ulur në krye të sallës së mbledhjeve të qeverisë, por paraprakisht, për dore u ka folur gazetarëve që këtë herë kishin zënë vendet e ministrave.
Para tyre ka lexuar një përmbledhje të punëve që qeveria në largim e udhëhequr prej tij, ka bërë në gati 2 vjet sa qëndroi në pushtet, raporton KTV.
Haradinaj ka folur edhe për qeverinë në ardhje që pritet të udhëhiqet nga Albin Kurti, për të cilin tha se do ta ketë më të lehtë qeverisjen, shkaku i disa prej vendimeve të tij.
Megjithëse tha se i mirëpret disa prej zotimeve të Vetëvendosjes dhe LDK-së, si ai për shkurtimin e numrit të ministrive, kryeministri në largim shfaqi edhe një shqetësim që e ka për Kurtin.
Haradinaj, si proces të pashmangshëm e ka konsideruar ndërtimin e autostradës së Dukagjinit dhe ka ripërsëritur mbështetjen për projektin Kosova e Re, duke thënë se ai ishte mbështetur edhe sa në qeveri ishte LDK-ja.
Edhe një herë tjetër, kryeministri në largim, Haradinaj, ka insistuar se në dhjetor pret zhvillime pozitive për liberalizimin e vizave.
Ndër arritjet që i ka përmendur Haradinaj, kanë qenë rritja e buxhetit për 32% krahasuar me atë të vitit 2017, krijimin e ushtrisë e ligjin për “Trepçën”.