Ish-ministrja e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj-Stublla, ka thënë se krerët e institucioneve nuk kanë pothuaj fare komunikim, e aspak koordinim, me ndërkombëtarët. Kjo gjë, ka shtuar ajo, po e vë Kosovën në pozitë të pafavorshme.
Ajo ka theksuar se qasja e bashkësisë ndërkombëtare ndaj Kosovës ka qenë vazhdimisht e pabarabartë me atë ndaj Serbisë. Sipas saj, Kosova duhet t’i lexojë situata gjeopolitike dhe të jetë më “e zhdërvjelltë” për ta çuar veten përpara procesit integrues.
“Qasja ka qenë asimetrike që nga fillimet e bisedimeve për planin franko-gjerman, pastaj pas dakordimit të marrëveshjes së Ohrit, Brukselit dhe Aneksit në Ohër pastaj. Është hera e parë që nuk është përmendur në një pikë të veçantë çështja e të pagjeturve, kurse është përmendur si pikë kisha ortodokse serbe”, ka thënë ajo në "60 Minuta".
Haradinaj-Stublla ka thënë se draftstatuti i Asociacionit të komunave me shumicë serbe nuk duhet të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese edhe nëse kjo kërkohet si kushtëzim për Kosovën.
“Nuk do duhej fare të merret në konsideratë dërgimi i draftit të Asociacionit në Kushtetuese edhe nëse kushtëzohet me procese të tilla siç është anëtarësimi në Këshillin e Evropës”, ka potencuar ajo.
Ish-ministrja ka thënë se Qeveria nuk ka ditur t’i lexojë mesazhet e Perëndimit dhe ka humbur momentum në momentet më të favorshme për vendin.
“Qeveria ka gabuar në kalkulimin në leximin të mesazheve të Perëndimit sepse ka besuar se pas Banjskës i gjithë presionit do të kthehet mbi Serbinë, Serbia do sanksionohet dhe do jetë ajo që do kushtëzohet vazhdimisht. Por, ne fatkeqësisht përmes veprimeve të vogla e humbëm momentumin edhe një herë kur filloi lufta në Ukrainë, edhe tash pas Banjskës, sidomos me vendimin për t’u ulur në tavolinë një javë pas agresionit në Banjskë. Kanë qenë disa gabime strategjike që e kanë përcjellë dhe sot e kanë katandisë Kosovën në situatë shumë të vështirë”, është shprehur ajo.