Arbëri

Haradinaj: Shtylla e parë programore është anëtarësimi në NATO

Përfaqësues të AAK-së dhe të subjekteve politike në koalicion me të prezantuan programin zgjedhor, në bazë të të cilit do të qeveriset në mandatin e ardhshëm nëse fitojnë në zgjedhjet e 9 shkurtit. Theksi është vënë te procesi i integrimeve euroatlantike, por është premtuar edhe mirëqenie, duke përfshirë shtesa mujore për fëmijë në shumën 150 euro

Koalicioni mes Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe tri subjekteve të tjera politike ka prezantuar të mërkurën programin zgjedhor, në të cilin prioritet i është dhënë anëtarësimit të Kosovës në NATO.

Në qendër të këtij dokumenti, me të cilin do të garohet në zgjedhjet e 9 shkurtit, është edhe zhvillimi ekonomik, përmbyllja e dialogut me Serbinë me njohje reciproke dhe integrim në Bashkimin Evropian.

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili është edhe kandidat për kryeministër, ka thënë se ky program është produkt i një pune dyvjeçare.

“Rezultat i mbi 20 tryezave tematike-sektoriale, dhjetëra takimeve e konsultimeve të organizuara nga Aleanca e partnerët, ku kanë marrë pjesë qindra ekspertë të profileve e fushave të ndryshme, të ekonomisë e financave, arsimit e shëndetësisë, çështjeve sociale e kategorive të lirisë, sigurisë, politikës së jashtme e diplomacisë, energjisë, kulturës, ambientit, rinisë”, ka thënë Haradinaj.

Fatmir Limaj, kryetar i partisë Nisma që është pjesë e koalicionit, ka thënë se ky program u përgjigjet nevojave të njerëzve dhe, sipas tij, për objektiv ka çlirimin e këtij populli.

“Objektivat tona janë në reforma. Kosovës i duhet urgjentisht një reformë fiskale. Mbështetja e bizneseve të vogla dhe të mesme. Kosovës i duhet kthimi i modelit të partneritetit publiko-privat”, ka thënë Limaj

E Abdullah Klinaku, kryetar i Listës  Konservatore, vendosi fokusin në vlerat tradicionale dhe në mbrojtjen e familjes.

“Zotohemi që do të kujdesemi që institucionet qendrore si Kuvendi dhe Qeveria të jenë të kujdesshme në hartimin e legjislacionit që prek familjet dhe vlerat tradicionale të saj. Përkujdesje dhe subvencionim për fëmijët, pensionistë dhe personat me nevoja të veçanta. Shtesat për fëmijët deri në moshën 6-vjeçare në vlerën mujore prej 120 eurosh, dhe shtesat për fëmijët nën moshën 16-vjeçare në vlerën mujore prej 150 euro”, ka thënë Klinaku.

Ndërkaq, Artan Nimani, kryetar i Forumit Intelektual E-30, theksoi se koalicioni parazgjedhor është i përkushtuar ta kthejë besimin në institucionet e Kosovës.

“Mandatari ynë, Ramush Haradinaj, do ta udhëheqë qeverinë e ardhshme me vendosmëri duke rikthyer stabilitetin, progresin e besimin në institucione”, ka thënë ai.

Për zgjedhjet e 9 shkurtit, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës garon bashkë me Nismën Socialdemokrate, Listën Konservatore dhe Forumin Intelektual E-30.