Kryeministri në largim, Ramush Haradinaj ka ndërhyrë edhe njëherë në Agjencinë e Kosovës për Akreditim (AKA) duke kërkuar favore për kolegjet private.
Dy ditë më parë ai i ka drejtuar një letër kryetarit të Këshillit Shtetëror të Cilësisë (bordit të Agjencisë), Gazmend Luboteni duke kërkuar që të kenë kujdes në trajtimin e kërkesave që vijnë nga kolegjet, raporton Koha Ditore.
Në letrën që e ka siguruar “Koha Ditore”, të cilën Haradinaj ja ka drejtuar të martën Lubotenit, ka kërkuar nga ai që menjëherë të fillojnë tejkalimin e pengesave administrative e burokratike dhe të procedojnë me përmbushjen e mandatit të tyre për arsim cilësore.
Kjo nuk është hera e parë që kryeministri Haradinaj ndërhynë në Agjencinë e Kosovës për Akreditim, ndonëse sipas ligjit të arsimit të lartë, ky institucion është agjenci e pavarur përgjegjëse për vlerësimin dhe promovimin e cilësisë së arsimit të lartë në Kosovë.
Me kërkesë të kryeministrit Haradinaj dhe ministrit të Arsimit, Shyqiri Bytyqi në shtator të vitit 2017 u shkarkua bordi dhe ushtruesja e detyrës së drejtorit të Agjencisë.
Kjo bëri që Agjencia të përjashtohet nga dy institucionet kryesore evropiane të arsimit të lartë. Në shkurt të vitit 2018, Regjistri Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (EQAR) e përjashtoi agjencinë me arsyetimin se e ka humbur autonominë.
Ndërkaq, në shtator të vitit të kaluar, edhe Asociacioni Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA) e përjashtoi agjencinë për të njëjtat arsye.
Zyra e Kryeministrit nuk është përgjigjur gjatë ditës nëse kjo është një presion ndaj bordit të AKA-së.
E kryetari i bordit të kësaj agjencie, Gazmend Luboteni ka theksuar se do ta njoftojnë kryeministrin se çështja e akreditimeve është e përfunduar dhe ka mbetur vetëm lëshimi i vendimeve. Ai nuk ka komentuar nëse kjo letër është presion ndaj punës së tyre.
