Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se Qeveria Kurti e ka kthyer veriun në kohën e parapavarësisë.
“Gjendja në veri për fat të keq është e parapavarësisë për shkak se shumë autorizime janë bartë te KFOR-i dhe të EULEX-i janë rikthyer autorizimet e dikurshme dhe kuptohet ne me policinë tonë jemi një palë që duhet të na kontrollojnë sa u tërhiqem, çka po bëjmë, pse po shkojmë e kështu me radhë, këto janë situata që i ka krijuar Kurti dhe Bislimi, kjo qeveri”, tha ai për RTK-në.
Lideri i AAK-së ka folur edhe për çështjen e incizimeve të shefes së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lilës me përfaqësuesin e Listës Serbe, Slavko Simiqin. Ai tha se Kusari-Lila ka bërë shkelje ligjore dhe i ka prerë në besë amerikanët dhe kategoritë e lirisë.
Haradinaj ka folur edhe për çështjen e dialogut dhe zotimet që janë marrë nga Kosova në Bratislavë.
“Nuk jemi në strategjinë tonë, pra Bratislava sipas meje nuk është strategjia jonë, strategjia jonë është Amerika me ambasadorin amerikan këtu dhe me Hillin atje. Nuk ka logjikë kryetari i qeverisë këtu të shkojë në komuna atje dhe t’i dërgojë porosi qeverisë së atij shteti se çka duhet të bëjë me një vend fqinj, mendoj se këtu zonja Kusari në njëfarë mënyre i kanë prerë në besë amerikanët. Pra, kjo është një prerje në besë, nuk flitet me atë që ai e ka shpallur armik tëndin për Kosovën ai e ka futur në listë dhe e dyta është një veprim jo ligjor, sepse ai është i përndjekur dhe nën hetime, dhe së fundmi është ajo që e kam quajtur përherë ngulje e thikës pas shpine, e këta e bëjnë dy herë këtë një për aleatët dhe një për kategoritë e lirisë”, ka thënë Haradinaj.