Arbëri

Haradinaj premton ndryshim të ligjeve për mbrojtje nga zhurma dhe për duhanin

Koalicioni i kryesuar nga AAK-ja ka mbajtur takim me gastronomët dhe me qytetarët e Rahovecit, të enjten. Kandidati për kryeministër Ramush Haradinaj, u premtoi gastronomëve ndryshim të ligjit për mbrojtje nga zhurma dhe atij për duhanin. E në Rahovec premtoi se me ligjin për bujqësinë kjo komunë do të shndërrohet në zonë strategjike

Ulje të TVSH-së në 8 për qind për katër vjet në sektorin e gastronomisë, ka premtuar koalicioni “Për Kosovën Fituese”, të enjten.

Në një takim me gastronomët, Ramush Haradinaj, i cili është kandidat për kryeministër nga koalicioni mes Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Nismës Socialdemokrate, Forumit të Intelektualëve E30, Konservatorëve dhe Idealit, është zotuar për reduktimin e tarifave në produktet bazë për gastronominë.

Ai po ashtu ka thënë se do ta ndryshojë Ligjin për mbrojtjen nga zhurma.

“Duhet rishqyrtuar, duhet kthyer në parlament, të diskutohet si rregullohet kjo, duhet me e gjetë një mënyrë bashkërisht sesi të mos preken privatësia, të drejta e të tjerëve, duhet te diskutohet sesi rregullohet kjo, por jo me qenë si i tillë që dikush anonim të raportojë dhe të të marrë në qaf, ose ma prish mua ditëlindjen, ose ty punën, ose ngjarjen”, ka thënë Haradinaj.

Haradinaj premtoi edhe ndryshim të Ligjit për kontrollin e duhanit.

“Ne e kemi bërë ligjin më të vështirë sesa shtete e tjera që janë dhjetë herë ekonomikisht para neve. Ka qenë pak e nxituar. Dua ta sjellim aty ku e ka pasur Austria. Austria për një kohë të gjatë ka qenë një model i mirë. Ata e kanë pasur me hapësira. Ekziston një hapësirë ku pihet duhan dhe kuptohet je i detyruar me lajmëru që je në hapësirën ku pihet duhani”, ka thënë Haradinaj.

Gastronomëve, bartësi i listës së koalicionit “Për Kosovën Fituese” u premtoi edhe ulje të normave tatimore në paga dhe fitim nga 10% në 9%, e gjithashtu sistem të ri të pagesave tatimore me pasdhënie me këste.

Përveç me gastronomët, koalicioni të enjten mbajti tubim elektoral edhe me qytetarët e Rahovecit.

Kryetari i Nismës, Fatmir Limaj, u kërkoi qytetarëve të Rahovecit që ta votojnë koalicionin nëse dëshirojnë, siç tha ai, qeverisje si ajo lokale.

“Qytetarët e Kosovës do të vendosin mes shpifjes në këta katër vjet dhe ku do të shkojë Kosova në të ardhmen, zgjidhja është shumë e lehtë numri 137”, ka thënë ai. “Ju në Rahovec e keni shumë më të lehtë, pasi ju ka udhëhequr një djalë i joni, besoj që kjo tregon se edhe në qeverinë qendrore do të keni kësi vizioni. Smajli në Rahovec, Ramushi në Prishtinë dhe na të gjithë rreth tyre do ta bëjmë Kosovën fituese”.

Koalicioni premtoi se me ligjin për bujqësi, Rahoveci do të shndërrohet në zonë strategjike. Po ashtu u zotua se në fillim të mandatit do të zgjerohet rruga Rahovec-Malishevë, do të ndërtohet impianti i ujërave të zeza dhe do të rregullohet shtrati i Drinit të Bardhë.

“Bashkë me qytetarët e Rahovecit vendosëm për zhvillimin e hovshëm të vendit.

Zgjerimi i rrugës Rahovec-Malishevë, ndërtimi i impiantit të ujërave të zeza dhe rregullimi i shtratit të Drinit të Bardhë janë disa nga projektet që do nisin në fillim të mandatit. Me Ligjin e veçantë për bujqësi, Rahoveci shndërrohet në zonë strategjike.

Plotësim-ndryshimi i Ligjit për Komasacion dhe ndërtimi i Liqenit Akumulues në Zhdrellë do të revolucionarizojnë bujqësinë. Zgjerimi i sistemit të ujitjes nga Liqeni i Dukagjinit do t'i japë energji të re prodhimit vendor. Kemi planifikuar trefishimin e subvencioneve për bujqësi”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Dhjetë prioritetet e koalicionit nisin me anëtarësimin e Kosovës në NATO, e miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me Bashkimin Evropian. Në listën e prioriteteve është po ashtu rritja ekonomike vjetore deri në 7 për qind e 1 miliard euro për bizneset e reja dhe ato prodhuese-eksportuese, pastaj paga mesatare 1 mijë euro e pensione mbi 500 euro. Po ashtu është premtuar edhe ndërtimi i një termocentrali me kapacitet 1500 MW. Është përfshirë edhe përmbyllja e projekteve rrugore që kanë mbetur në gjysmë dhe ndërtimi i autostradës së Dukagjinit.

Po ashtu në kuadër të dhjetë premtimeve është edhe reforma e thellë në arsim dhe në sistemin shëndetësor, si dhe përfshirja e mërgatës në vendimmarrje dhe pensione pa shkëputje nga puna për veteranët dhe invalidët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.