Arbëri

Haradinaj premton ministri për kategoritë e dala nga lufta

Kandidati për kryeministër i koalicionit “Për Kosovën Fituese”, Ramush Haradinaj, ka premtuar themelimin e një ministrie për kategoritë e dala nga lufta. Për këtë ai ka thënë se është inspiruar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ka premtuar edhe një ministri për familjen

Në shtëpinë e Kulturës në Drenas, kandidati për kryeministër i koalicionit mes Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Nismës Socialdemokrate, Forumit të Intelektualëve E30, Konservatorëve dhe Idealit, Ramush Haradinaj, ka dhënë një premtim të ri të hënën.

Ai është zotuar për themelimin e një ministrie për kategoritë e luftës.

“Çka nënkupton kjo, shoqatat e dal nga lufta do të jenë agjenci buxhetore, kanë me pasë buxhetin në nivel lokal dhe qendror, statusi i tyre do të jetë i përjetshëm dhe status financiar të respektuar, shtëpitë e UÇK-së, si kjo që është shtëpi e kulturës do ta ketë edhe UÇK-ja shtëpinë e vet”, ka thënë ai.

Për këtë ai ka thënë se është inspiruar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Në Amerikë ishte Departamenti i Veteran Affair, vetëm për çështje të veteranëve. Aty përfshihen edhe veteranët aktual kush do që ka pension prej ushtrie. Ata më kanë premtuar që do të vijnë, kam qenë me Haki Abazin nëpër takime, është dëshmitar më kanë premtuar që do të vijnë pa pagesë për të na ndihmuar në përpilimin e legjislacionit”, ka thënë Haradinaj.

Ministri do të themelojnë edhe për familjen. E kjo sipas Haradinajt, duhet të ndodh pasi politikat e qeverisë Kurti janë duke e rrezikuar familjen tradicionale.

“Dhe ku u doli kjo, kur ja nisën prindi një e prindi dy, u pa sa është sahati, ai doracaku i edukimit që ia dërguan fëmijëve”, ka thënë Haradinaj. “Ne nuk guxojmë me humb atë që ka qenë garanca jonë gjithë herë, familja, kuptohet që familja evoluon, ecë me jetën , ne nuk po duam me u kthy mbrapa, por ne nuk po dojmë me u dëmtua qeliza jonë, familja”, ka shtuar ai.  

Thirrje për rreshtim me koalicionin ka bërë edhe kryetari i Nismës, Fatmir Limaj.

“Me i ikë përçarjeve, shpifjeve e mashtrimeve, ne kemi besuar në lirinë e Kosovës, dhe liria ka ardhur.

Ne kemi besuar në shtetin e Kosovës dhe ajo ka ardhur”, ka thënë ai.

Dha edhe premtime për përmirësimin e mirëqenies të personave me aftësi të kufizuara.

“Peronave me aftësi të kufizuara që u jemi shumë borxhli, është i vetmi lideri ynë që ju bëri vend atyre dhe do të bëjmë një ligj për këta persona”, ka thënë kandidatja për deputete, Valbonë Demaku Berisha.

Nga ky koalicion kanë premtuar për qytetarët e Drenasit furnizim të pandërprerë me ujë të pijshëm, përfundimin e rrugës për në Skenderaj, e stadium të futbollit në fshatin Korreticë.

Në kuadër të aktiviteteve elektorale, koalicioni të hënën ka mbajtur tubim edhe me qytetarët e Prizrenit. 

Kandidati i koalicionit “Për Kosovën Fituese”, Haradinaj u ka premtuar prizrenasve ndërtimin e digës në lumin Manastircë, që sipas tij do t'i japë fund njëherë e përgjithmonë problemit me ujë të pijshëm në Prizren.

Është zotuar edhe që zona historike do të marrë përkujdesjen e merituar. 

Po ashtu ka premtuar hapjen e një zone të re industriale, që sipas tij do të hapë mijëra vende pune për qytetarët e Prizrenit.

Dhjetë prioritet e koalicionit të kryesuar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nisin me anëtarësimin e Kosovës në NATO, e miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me Bashkimin Evropian. Në listën e prioriteteve është renditur edhe rritja ekonomike vjetore deri në 7 për qind e 1 miliard euro për bizneset e reja dhe ato prodhuese-eksportuese, pastaj pagë mesatare 1 mijë euro e pensione mbi 500 euro. 

Po ashtu është premtuar edhe ndërtimi i një termocentralit me kapacitet 1500 MW. Në kuadër të prioriteteve është përfshirë edhe përmbyllja e projekteve rrugore që kanë mbetur në gjysmë dhe ndërtimi i autostradës së Dukagjinit. 

Në kuadër të dhjetë premtime është edhe reforma e thellë në arsim dhe në sistemin shëndetësor, si dhe përfshirja e mërgatës në vendimmarrje dhe pensione pa shkëputje nga puna për veteranët dhe invalidët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.