Anëtarësim direkt të Kosovës në NATO ka premtuar Ramush Haradinaj, kandidat për kryeministër i koalicionit mes AAK-së, Nismës, Intelektualëve, Konservatorëve e Idealit. Ai tha se kjo i është premtuar dhe se edhe nëse nuk do të jetë kryeministër do të punojë për ta jetësuar zotimin, por tha se do ta ketë më të vështirë
Në tubimin elektoral në Kamenicë, kandidati për kryeministër i Koalicionit mes AAK-së, Nismës, Intelektualëve, Konservatorëve e Idealit, Ramush Haradinaj, fokusin e ka vënë te prioriteti kryesor i tij, anëtarësimi i Kosovës në NATO.
Tek foli para të pranishmëve, Haradinaj e bëri zotimin se këtë synim do ta jetësojë nëpërmjet një rruge të shkurtër.
“Unë mendoj se po ia sjelli Kosovës fitoren e të gjitha fitoreve, e ajo është anëtarësimi direkt në NATO. Nuk është veç fjalë, ju lutëm! Plani aksional është hapi i fundit për t’u anëtarësu. Në procese të rregullta duhet me kalu nëpër partneritet për paqe, me humbë dekada. Unë kam mbërri Kosovën me e shti direkt në planin aksional, që nënkupton anëtarësim direkt”, ka thënë Haradinaj.
Tek u zotua që këtë premtim do ta përmbushë si kryeministër, ai nuk i kurseu as lëvdatat për veten.
“Unë mund të ju them që këtë punë e kam kry, ju lutem, e kam kry. Mirëpo, e vetmja gjë që ma vështirëson këtë punë, është nëse nuk m’i jepni votat. Pra, e saktë po ju them, edhe mos me kanë unë kryetar qeverie, duhet me i ndihmu kujtdo që është, por nuk është krejt njësoj. Ndërsa nëse mbetet ky që është tash, fatkeqësisht do të shkojmë prapë mbrapa”, ka thënë Haradinaj.
Ai u zotua edhe se me të në krye të Qeverisë, në sektorin publik nuk do të ketë më paga nën 1 mijë euro e as pensione dhe pagë minimale nën 500 euro. Për këtë, ai tha se i ka bërë mirë llogaritë.
“Ne i kemi ba kalkulimet. Kisha pas qef me thanë më shumë. Por jam detyru me i thanë këto shifra se këto i përballojmë dhe këto ia dedikojmë ekonomisë sonë”, ka thënë Haradinaj.
E kandidati për deputet, i cili është kryetar i Nismës, Fatmir Limaj, e kërkoi mbështetjen e qytetarëve të Kamenicës për, siç tha, përparimin e Kosovës.
“Zgjedhjet që po na vijnë kanë me e përcaktu të ardhmen e shtetit tonë së paku për 100 vitet e ardhshme. Vendimet politike nuk mund të shtyhen brenda ditës. Ne kemi jetuar dhe do të jetojmë me vendime të mira e të këqija që ka marr kjo qeveri e kushdo që merr nesër”, ka thënë Limaj.
Ai ka kritikuar edhe ministrat e Qeverisë së Albin Kurtit.
“Ministrat e qeverisë, jo vetëm që nuk janë të gatshëm të japin llogari para juve për atë çfarë kanë bërë para 4 viteve, që në fakt nuk kanë çfarë të flasin, s’kanë çfarë të paraqesin, ata ia kanë nisë edhe po këndojnë nëpër tubime, ata po ofendojnë qytetarin e Kosovës. Ata po mendojnë se qytetari i Kosovës është aq i padijshëm sa që edhe këtë herë ta mashtrojnë”, ka thënë Limaj.
E gjatë ditës, Haradinaj, nëpërmjet një postimi në Facebook e ka kërkuar votën edhe të diasporës.
“Mbështetjen që ia keni dhënë deri më tani atdheut, ju presim ta finalizoni me 9 shkurt me votën tuaj për Kosovën Fituese”, ka shkruar ai.
Programi qeverisës i koalicionit rreth AAK-së është i ndërtuar mbi katër shtylla: anëtarësimi direkt i Kosovës në NATO, zhvillimi ekonomik, përmbyllja e dialogut me Serbinë me njohje reciproke dhe integrim në BE, si dhe ndaljen e braktisjes së Kosovës nga qytetarët.
Përfaqësues të koalicionit kanë premtuar formimin e ministrisë për familje.
Në programin e këtij subjekti politik përfshihet edhe mbështetja për gratë dhe shtesa për fëmijët e porsalindur. Bazuar në të, 1500 euro është shuma që do t’i takojë secilës familje që pret fëmijën e parë, 2500 fëmijën e dytë dhe 3500 për të tretin.
Koalicioni rreth AAK-së ka listuar dhjetë prioritete, në krye të të cilave është anëtarësimi i Kosovës në NATO dhe miqësia e përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me Bashkimin Evropian. Të tjerat janë kryesisht të karakterit, e në të cilat përfshihen: rritja ekonomike vjetore deri në 7 për qind, ndërtimi i një termocentrali me kapacitet 1500 MW, 1 miliard euro për bizneset e reja dhe ato prodhuese-eksportuese, përmbyllja e projekteve rrugore që kanë mbetur në gjysmë dhe ndërtimi i autostradës së Dukagjinit, paga mesatare 1 mijë euro e pensionet mbi 500 euro.