Arbëri

Haradinaj: Prekazi është betimi ynë për shtet, atdhe e për demokraci

Maratonën njëmujore të fushatës zgjedhore, koalicioni mes AAK-së, Nismës, Konservatorëve dhe Intelektualëve e nisi me homazhe në kompleksin memorial në Prekaz. Kandidati për kryeministër, Ramush Haradinaj, tha se nga Prekazi bëhet betimi për shtet, atdhe e për demokraci

Kryetarët e dy partive kryesore të koalicionit rreth Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) nuk e nisën bashkë fushatën zgjedhore të shtunën. Shkak u bë një ceremoni varrimi.

Në ditën e parë të fushatës, kandidati për kryeministër i koalicionit, Ramush Haradinaj, bëri homazhe në kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz. E pasi e përfundoi Haradinaj, aty është paraqitur kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj. Ai ka thënë se shkak i vonesës është pjesëmarrja në një ceremoni varrimi në Pejë.

“Kemi biseduar në telefon dhe jemi dakorduar që t’ia fillojnë homazheve pa mua, pasi po i shihni edhe kushtet atmosferike. Unë isha në një ngushëllim të një aktivisti tonë në Pejë”, ka thënë Limaj.

Pas homazheve, Haradinaj ka thënë se Prekazi është rikujtim i përmbushjes së amanetit të dëshmorëve për zhvillimin e Kosovës.

“Prekazi na bashkon. Prekazi është betimi ynë për shtet e atdhe e për demokraci. Prej këtu nisemi për Parlamentin e Kosovës më 9 shkurt me votën e qytetarëve, e që të vazhdojmë për Kosovën fituese, anëtare e NATO-s e zhvilluar ekonomikisht dhe e barabartë me shtetet e zhvilluara, pra në tavolinën e tyre”, ka thënë ai.

Limaj deklaroi se koalicioni synon që të vazhdojë veprat e komandantit legjendar të UÇK-së, Adem Jashari.

“Ardhja jonë ka simbolikën për të vazhduar të gjitha ato vepra të mëdha të atdhetarëve tanë, të komandantit legjendar dhe gjithë dëshmorëve që dhanë jetën për liri, për të vazhduar ne në shtet-ndërtimin tonë dhe ne do të vazhdojmë fuqishëm, do t’i bartim ato vlera historike me krenari, ato janë të përjetshme, ato vazhdojnë të jetojnë brez pas brezi”, ka thënë Limaj.

Koalicioni AAK-NISMA-Konservatorët-Intelektualët, tubimin hapës me qytetarë do ta mbajë të dielën në sallën 1 Tetori në Prishtinë, duke filluar nga ora 13:30.

Koalicioni i cili mban sloganin “Për Kosovën fituese” ka shpalosur disa nga premtimet që pretendon t’i realizojë nëse fiton besimin e qytetarëve për të qeverisur katër vjet me shtetin.

Anëtarësimi direkt në aleancën ndërkombëtare ushtarake NATO, është një nga premtimet kryesore të koalicionit, sipas të cilit është e rëndësishme që të punohet në heqjen e masave që BE-ja ia ka vendosur Kosovës dhe në përmirësimin e marrëdhënieve me partnerët strategjikë, posaçërisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Zhvillim ekonomik e dyfishim të pagave ka premtuar ky koalicion. Sipas përfaqësuesve të këtij subjekti politik, sektori publik do të përfitojë dyfishim të pagave, si dhe të pensioneve baras me pagën minimale që synohet të rritet në vlerë prej 500 eurosh.

Zyrtarë të koalicionit kanë thënë se zotimin do ta bëjnë realitet që në ditët e para gjatë mandatit qeverisës.

Haradinaj ka thënë se programi i koalicionit ofron zgjidhje konkrete dhe të realizueshme. Sipas tij, do të rikthehet dialogu social qeveri-sindikata dhe do të nënshkruhen Kontratat Kolektive. Ai ka premtuar se do ta amendamentojë Ligjin për organizmin sindikal në mënyrë që sindikatave t’i fuqizohet roli në ndërtimin e politikave qeverisëse. Po ashtu, kandidati për kryeministër nga radhët e koalicionit ka premtuar implementimin e ligjit për pensionistët kontributdhënës, për të punësuarit pas luftës së vitit 1998-99.

Në programin qeverisës të koalicionit përfshihet edhe mbështetja për gratë dhe shtesa për fëmijët e porsalindur. 1500 euro është shuma që ky koalicion është zotuar se do ta ndajë për familjet që presin fëmijën e parë, 2500 për të dytin dhe 3500 për të tretin.