Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se ndjehet i tronditur nga shpërthimi i së dielës në Stamboll, ku të paktën gjashtë persona u vranë.
Ai deklaroi në Facebook se aktet e tilla qyqare “na kujtojnë edhe njëherë që bota duhet të jetë bashkë, e demokratizuar dhe e zëshme kundër dhunës dhe terrorit”.
“Lutemi për viktimat, të lënduarit dhe familjet e tyre. Qëndrojmë pranë Turqisë në këtë ditë të kobshme”, u shpreh Haradinaj.
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ngjarjes i është referuar si sulm terrorist, për çka tha se përpjekjet për ta sulmuar Turqinë përmes terrorizmit nuk do të kenë rezultate pozitive.
“Pas sulmit të pabesë, në vendngjarje shkuan forcat tona të sigurisë dhe të plagosurit tanë u dërguan në spitalet përreth. Përpjekjet për të pushtuar Turqinë dhe kombin turk përmes terrorizmit nuk do të arrijnë qëllimin e tyre siç ka sot dhe nesër”, ka thënë ai.
Pas liderit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, lidhur me shpërthimin e së dielës në Taksim të Stambollit, ka reaguar edhe kryeparlamentari Glauk Konjufca.
Konjufca ka thënë se me trishtim ka marrë lajmin për vdekjen e disa personave të pafajshëm dhe plagosjen e shumë të tjerëve si pasojë e shpërthimit që ndodhi në Stamboll.
“Ndajmë dhimbjen e madhe me familjet e viktimave dhe lutemi për shërim sa më të shpejtë të të lënduarve. Ngushëllimet tona më të sinqerta për familjet, popullin turk, Asamblenë e Madhe Kombëtare dhe Presidentin e Turqisë”, ka shkruar Konjufca në Facebook.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, është shprehur i tronditur me rastin e shpërthimit të së dielës në Stamboll, që la të paktën gjashtë persona të vrarë dhe rreth 60 të plagosur.
Nëpërmjet një postimi në Twitter, Krasniqi ka thënë se qëndron pranë popullit dhe institucioneve turke në këtë ditë të kobshme.
“Jam i tronditur dhe i pikëlluar nga shpërthimi i sotëm në Stamboll që la disa të vdekur dhe dhjetëra të lënduar. Në këto momente të vështira, ndajmë dhembjen me institucionet e Republikës së Turqisë dhe popullin mik turk”, ka shkruar ai.
Ai u ka shprehur ngushëllime familjeve të viktimave dhe të lënduarve shërim sa më të shpejtë, teksa shpresoi që përgjegjësit e këtij akti terrorist të gjenden e të dalin para drejtësisë sa më parë.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), iu shprehu ngushëllime familjarëve të viktimave që mbetën të vrarë në shpërthimin në Stamboll.
Nëpërmjet Twitterit, Ministria shkroi se është e shokuar nga lajmi për shpërthimin.
Ndërkohë, për ngjarjen ka reaguar edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
“Në këto momente të vështira, ndajmë dhimbjen me të gjithë popullin turk, me institucionet atje e në veçanti me familjarët e viktimave. Të gjithë të lënduarve ju uroj shërim sa më të shpejtë. Lutemi që të jetë rasti i fundit që ka tronditur popullin turk dhe të gjithë ne. Shpresojmë në zbardhjen sa më të shpejtë të të gjitha rrethanave të kësaj ngjarjeje të kobshme”, tha Sveçla në Facebook.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidentja Vjosa Osmani, iu shprehën ngushëllime familjarëve të viktimave që u vranë në shpërthimin në Stamboll të dielën.
Kurti shkroi në Twitter se “mendimet dhe lutjet janë me familjet e atyre që humbën jetën, ndërsa të plagosurve iu uroj shërim të shpejtë”.
Ndërsa, Osmani tha se Kosova qëndron me popullin e Turqisë gjatë kësaj periudhe të vështirë.
Appalled by today's explosion near #Taksim in #Istanbul that left so many dead and injured. I express my deepest condolences to families of the victims and wish the injured a speedy recovery. In these difficult moments we share the pain with the people and the institutions of ??. pic.twitter.com/PLJuImwTym
— Memli Krasniqi (@MemliKrasniqi) November 13, 2022