Koalicioni rreth AAK-së, ka vazhduar fushatën në Istog. Aty, kandidati për kryeministër, Ramush Haradinaj, u kërkoi qytetarëve që ta mbështesin koalicionin, me qëllimin për ta larguar nga pushteti Lëvizjen Vetëvendosje.
Dyfishim të pagave e siguri energjetike u ka premtuar qytetarëve të Istogut, Ramush Haradinaj, kandidat për kryeministër i koalicionit mes Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Nismës Socialdemokrate, Forumit të Intelektualëve, Konservatorëve dhe iniciativës Ideali.
Në tubimin elektoral në Istog, Haradinaj u mor edhe me kundërkandidatin e tij nga Lëvizja Vetëvendosje, kryeministrin Albin Kurti.
Haradinaj tha se Kurti i ka mashtruar qytetarët.
“Janë mashtrues. Ja kom hjek maskën edhe qeben. Kah jam sill më kanë thënë edhe ti i ki faj se ja mushe sheshet por s’jam pishman se kam besu, por në kurriz tonë me na nda prej Amerikës”, tha Haradinaj.
E, kryetari i Nismës, Fatmir Limaj, vlerësoi se shteti i Kosovës ka nevojë për shpëtim, meqë sipas tij, është degraduar në katër vjetët e fundit nga qeverisja Kurti.
“Kosova më shumë se kurrë ka nevojë për një rreshtim të përbashkët, me u zgjuar zëri racional e me shpëtuar këtë vend. Ata që s’kanë asnjë vepër me ia prezantuar qytetarëve. Ata të cilët janë xheloz e kanë kompleksin e së kaluarës se kur ishte koha nuk ditën të rreshtohen e të luftojnë dhe Kosova është e ekspozuar me njerëz pa adresë që kanë marrë shtetin”, tha Limaj.
E, kandidati për deputet nga Istogu, Bekë Berisha, u shpreh i bindur se pas zgjedhjeve të ardhshme, Kurti nuk do të jetë në pushtet.
“Nuk ka kompleks nuk e ka armik disave që po ulërisin e po çirren nuk do t’i lëmë në pushtet...” – tha Berisha.
Një ndër zotimet kryesore të koalicionit rreth AAK-së është anëtarësimi direkt i Kosovës në NATO.