Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka qenë në vizitë sot në selinë e PDK-së. Ai ka thënë se vizita e tij është për shkak të zhvillimeve të fundit që kanë ndodhur me Gjykatën Speciale e për t’i shprehur përkrahje partisë në mungesë të ish-kryetarit Kadri Veseli dhe ish-presidentit Hashim Thaçi.
Ai ka thënë se nuk është koha të diskutohet tash për postin e presidentit, duke shtuar se ka shkuar në selinë e PDK-së vetëm për t’i ofruar përkrahje.
"Është dita e paraqitjes së parë të udhëheqësve në Tribunal. Garat politike vazhdojnë dhe kemi pasur mospajtime dhe rrugëtime ndaras. Por kam qenë në UÇK dhe jam sot UÇK. Kjo është një përkrahje. E thashë agjenda politike vazhdon. Kjo tokë është e jona”, ka deklaruar Haradinaj.
Ndërkaq Partia Demokratike e Kosovës ka njoftuar se qëllimi i vizitës së Haradinajt ishte përkrahje për zhvillimet e fundit që lidhen me Specialen.
“Haradinaj ka vizituar sot pa paralajmërim zyrat e PDK-së për të shprehur solidarizimin për zhvillimet e fundit me Dhomat e Specializuara. Ne e falendërojmë për një gjest të tillë, dhe njëherësh konfirmojmë se nuk është folur për asnjë temë politike aktuale në Kosovë. Konfirmimi i aktakuzës ndaj ish kryetarit Veseli dhe ish-Presidentit Thaçi paraqet një situatë të rëndë për Kosovën dhe PDK-në. Neve si shoqëri na duhet më së shumti sot solidarizimi dhe bashkëpunimi për ta tejkaluar këtë moment të vështirë për vendin”, thuhet në një status të zëdhënësit të PDK-së, Avni Bytyqi.