Përmes rrjeteve sociale, zyrtarë nga koalicioni mes AAK-së, Nismës, Forumit të Intelektualëve E30, Konservatorëve e Idealit, u janë drejtuar qytetarëve të hënën. Kandidati për kryeministër nga ky koalicion, Ramush Haradinaj, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës u shpreh se shteti zhvillohet duke i avancuar marrëdhëniet me vendet e fuqishme
Koalicioni mes Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Nismës Socialdemokrate, Forumit të Intelektualëve E30, Konservatorëve e Idealit, të hënën nuk mbajti tubime me qytetarë.
Zyrtarë të partive të koalicionit gjatë ditës qytetarëve iu drejtuan përmes postimeve në rrjetet sociale.
Kandidati për kryeministër nga ky koalicion, Ramush Haradinaj, publikoi një postim nga ceremonia e inaugurimit të presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump.
Ai u shpreh se shteti mbahet duke i avancuar marrëdhëniet me vendet e fuqishme.
“Sot, ditën e inaugurimit të presidentit Donald Trump, pata kënaqësinë ta filloja me takime përmbajtjesore me kongresmenët Gary Palmer (Alabama), Andy Harris (Maryland), Brad Knott (Karolina e Veriut), si dhe me përfaqësues eminentë të mërgatës shqiptare në Shtetet e Bashkuara. Avancimi i marrëdhënieve të Kosovës me SHBA-në, koordinimi dhe anëtarësimi në NATO, janë jetike për sigurinë, demokracinë dhe të ardhmen e vendit tonë”, tha Haradinaj.
E kryetari i Nismës, Fatmir Limaj, iu drejtua qytetarëve me një xhirim nga tubimi i së dielës, duke thënë se janë bashkuar për të realizuar vepra të mëdha për Kosovën.
Kandidati për deputet, Arton Demhasaj, përmes një postimi ka numëruar premtimet e koalicionit për rininë.
“Arsim i përballueshëm: Politika që reduktojnë shpenzimet e studentëve, si dhe ofrimi i mundësive më të përballueshme për arsimin e lartë dhe formimin profesional. Modernizimi i kurrikulës: Integrimi i aftësive të shekullit 21 në arsim, njohuri digjitale, mendim kritik dhe kompetenca që do të përgatisin rininë për tregun e ardhshëm të punës. Qartësi direkte për karrierë: Mbështetje për krijimin e programeve të trajnimit, praktikave dhe orientimin direkt në karrierë, veçanërisht për ata që nuk zgjedhin studimet universitare”, tha Demhasaj.
Programi qeverisës i koalicionit të emërtuar “Për Kosovën fituese” është i ngritur mbi katër shtylla: anëtarësimi direkt i Kosovës në NATO; zhvillimi ekonomik; përmbyllja e dialogut me Serbinë me njohje reciproke e integrim në BE; si dhe ndalja e braktisjes së Kosovës nga qytetarët.