Koalicioni mes Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Nismës Socialdemokrate, Forumit të Intelektualëve, Konservatorëve dhe Idealit ka mbajtur tubime elektorale në Mitrovicë e Vushtrri. Kandidati për kryeministër, Ramush Haradinaj, ka premtuar anëtarësimin në NATO, zhvillimin ekonomik dhe fuqizimin e “Trepçës”
Koalicioni mes Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Nismës Socialdemokrate, Forumit të Intelektualëve, Konservatorëve dhe Idealit ka mbajtur tubim me qytetarët në Mitrovicë, ku kandidati për kryeministër, Ramush Haradinaj, ka thënë se shteti i është në borxh kësaj komune.
Haradinaj është zotuar se për t’ia kthyer borxhin, do ta anëtarësojë Kosovën në aleancën veriatlantike, NATO.
“Kur hyjmë në NATO është krejt Kosova në NATO. Nuk mbetet asnjë pjesë jashtë. Kësisoj e mbyllim çështjen e sigurisë dhe të rreziqeve të sigurisë dhe kurrkush nuk mundet me na rreziku”, ka thënë ai.
Në tubimin e mbajtur në Qendrën e Kulturës “Rexhep Mitrovica”, kryetari i Nismas, Fatmir Limaj, u zotua për zhvillimin e ekonomisë së Mitrovicës duke e fuqizuar ndërmarrjen publike “Trepça”.
“Ejani bashkohemi në koalicionin fitues e ta kthejmë Trepçën, e ta kthejmë ekonominë e Mitrovicës. Largohuni prej atyre që vijnë e shëtitën e as jetën e punës nuk u kanë ndryshuar, as një investim. Sot minatori është në gjendjen më të keqe të punës sesa që ka qenë para 20 vite. Mjetet e punës në Trepçë janë thjesht të armortorizuar”, ka thënë Limaj.
Kandidati për deputet, Gani Bajraktari, ka thënë se ky koalicion është garancia për siguri territoriale.
“Ashtu siç ditën të bëjnë luftën dhe çlirimin e Kosovës, udhëheqësit e këtij koalicionit Ramush Haradinaj, Fatmir Limaj, e Lushtaku dhe të tjerët janë garancia e vetme e që në marrëveshje të plotë me faktorin ndërkombëtar do ta bëjnë jo vetëm qytetin e Mitrovicës unik por edhe territorin unik të pacenuar të Kosovës”, ka thënë Bajraktari.
Bajraktari i cili është mjek me profesion, ka thënë se programi i koalicionit synon të sigurojë një sistem shëndetësor cilësor dhe të qasshëm për të gjithë qytetarët.
Koalicioni është zotuar se do të sigurojë buxhetin dyvjeçar për fondin e sigurimeve shëndetësore për të gjithë qytetarët. Po ashtu, mjek për çdo familje. Sipas programit qeverisës, spitalet rajonale do të kenë autonomi, duke i bërë ato kompetente për shërbime të profilizuara shëndetësore, e krijimin e sistemit informativ shëndetësor.
Përfaqësuesit e këtij koalicioni kanë vazhduar me tubime me qytetarët e Vushtrrisë në Shtëpinë e Kulturës “Hasan Prishtina”. Aty u premtua dyfishim i pagave në sektorin publik dhe rritje e pensioneve dhe shtesave për kategori të ndryshme.
Kryetari i Konservatorëve, Avdullah Klinaku, ka thënë se qeveria e udhëhequr nga koalicioni do të mbrojnë familjen.
“Ky koalicion i ka tri shtylla: E para është familja, e cila është celula e një shoqërie të shëndosh. Kur s’kemi pasë atdhe dhe as shtet ka qenë familja që e ka ndërtuar konceptin tonë për shtet e liri deri në luftën e fundit çlirimtare ku familja Haradinaj, Jashari e shumë familje e kanë organizuar luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, ka thënë Klinaku.
Përfaqësues të koalicionit kanë premtuar formimin e ministrisë për familje. Në programin e këtij subjekti politik përfshihet edhe mbështetja për gratë dhe shtesa për fëmijët e porsalindur. Bazuar në të, 1500 euro është shuma që do t’i takojë secilës familje që pret fëmijën e parë, 2500 fëmijën e dytë dhe 3500 për të tretin.
Koalicioni rreth AAK-së ka listuar dhjetë prioritete, në krye të të cilave është anëtarësimi i Kosovës në NATO dhe miqësia e përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me Bashkimin Evropian. Të tjerat janë kryesisht të karakterit, e në të cilat përfshihen: rritja ekonomike vjetore deri në 7 për qind, ndërtimi i një termocentrali me kapacitet 1500 MW, 1 miliard euro për bizneset e reja dhe ato prodhuese-eksportuese, përmbyllja e projekteve rrugore që kanë mbetur në gjysmë dhe ndërtimi i autostradës së Dukagjinit, paga mesatare 1 mijë euro e pensionet mbi 500 euro.