Me një sekuencë të sprintit që u bë pjesë e Ooopsave të vitit 2018, kryeministri Ramush Haradinaj për 35 minuta video në Facebook, lavdërohet për të arriturat e qeverisë së tij, por në të nuk përmendet asnjë dështim dhe asnjë skandal i qeverisjes së tij. Madje për vrapimin e tij krejt të papritur, që vë në siklet edhe një grumbull këshilltarësh” është arsyetuar se “nuk ka kohë për të ecur”.
Më 18 dhjetor të vitit që shkoi, Haradinaj kishte thënë: “besoj se do ta marrim liberalizimin, jo shumë larg, para Vitit të Ri”. Ky premtim i dështuar nuk ishte në videon që Haradinaj përshkruhet si “gjeneral kosovar doli të jetë i popullarizuar te oficerët e ardhshëm amerikanë”, raporton Koha.net.
Në një përmbledhje të emisionit “Interaktiv” të KTV-së, Haradinaj është cilësuar si “Rrahagjokësi i vitit”. Fillimi i vitit 2018 nisi me përpjekjet për ta bërë bashkë spektrin politik për votimin e demarkacionit që e mbajti Kosovën të bllokuar për tri vjet, pikërisht nga vetë Haradinaj.
Premtoi se do të kishte rrymë vazhdimisht, por ajo vazhdoi të ndalej deri në gjashtë orë nëpër qytetet e Kosovës dhe në Prishtinë. Në videon e tij vetëlavdëruese Haradinaj thotë ta ketë zgjidhur problemin me rrymën.
Në vitin 2018 ai ndau 300 mijë euro për pjesëtarët e dënuar të Grupit të Kumanovës, 1.2 milion euro i ndau për të lobuar për INTERPOL dhe në fund dështoi të anëtarësohej në këtë institucion ndërkombëtar. Qeveria e tij, sipas ekspertëve, ia fali Bektel&Enkas 53 milionë euro për autostradën Prishtinë – Shkup.
Në më shumë se një rast beteja e Haradinajt u zhvillua kundër grave. Të parën, një grua nga Shqipëria, e largoi fizikisht nga skena në Prizren, ndërsa të dytën e sulmoi verbalisht vazhdimisht. Federica Mogherinin e akuzoi se ia mori anën Serbisë kur e përkrahi idenë për korrigjim kufijsh.
Në videon e tij vetëlavdëruese, takimi i ashpër me Mogherinin, përshkruhet “takim që nuk shkoi siç e kishin planifikuar evropianët, kryeministri përsëri kundërshtoi heqjen e taksës”.