Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka konfirmuar se është shkëputur kontrata për shfrytëzimin me qira të objektit 569 m2 në Prishtinë.
Haradinaj ka thënë se pasi pala kontraktuese kishte bërë kërkesë për shkëputjen e njëanshme të kontratës, edhe AAK-ja si palë kontraktuese ka vendosur për shkëputjen e kontratës.
“Pas kërkesës së palës kontraktuese për shkëputjen e njëanshme të kontratës për shfrytëzimin me qera të hapësirave prej 569 m2, me çmim mujor prej 4552 eurosh në muaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, njoftoj opinionin publik se edhe ne si palë kontraktuese konfirmojmë shkëputjen e kontratës nga cilësia e qiramarrësit në afatin e paraparë ligjor”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.
Objekti i Institutit Bujqësor në “Ulpianë” të Prishtinës u bë sërish çështje diskutimi mes ministrit të Bujqësisë, Faton Peci, e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, e cila e ka pasur selinë në këtë objekt prej shumë vjetësh.
“I rikthyem mbi 600 metra katrorë në shërbim të titullarit; Ministrisë së Bujqësisë”, ka shkruar të premten ministri Peci. Kjo ka nxitur reagimin e menjëhershëm të AAK-së, e cila ka thënë se këto deklarata të Pecit janë pjesë e “manipulimit ordiner të tij për të krijuar përshtypjen sikur ato paskan qenë të uzurpuara nga dikush”.
Ministri Peci ka shkruar tutje se shpreson në zbatimin e vendimit të tij të 22 gushtit 2023. Asokohe, Peci pati vendosur që një numër biznesesh të largohen nga një objekt në “Ulpianë”, që sipas tij, i takon Institutit të Bujqësisë.
“Mbetem optimist se instancat e sistemit të drejtësisë do të marrin një vendim meritor që objekti i Ministrisë dhe hapësirat për rreth saj të jenë në shfrytëzim dhe shërbim për titullarin dhe njëherit të mundësohet zbatimi i vendimit tim si Ministër, i marrë me datë 22.08.2023”, ka shkruar Peci në Facebook.